Titulli i 15 i Superkupës së Spanjës shënoi rekorde të shumta në radhët e Barcelonës. Katalanasit shpartalluan 5-2 rivalin historik, Real Madrid në Xhedah, për të koleksionuar kështu trofeun e parë sezonal dhe dominuar totalisht kompeticionin, pasi janë skuadra më e kurorëzuar.

Sukses i jashtëzakonshëm nga ana e skuadrës së teknikut, Hansi Flick, i pagabueshëm në stol në ndeshjet finale. Në 6 të tilla, gjermani ka arritur të triumfojë gjithmonë për të krijuar një rekord personal absolut.

“Jam vërtet krenar për ekipin, për stafin, për klubin, për tifozët, për të gjithë. Ishte një ndeshje e pabesueshme për tifozët, për të gjithë ata që ishin në stadium. Për trajnerët jo aq shumë, por në fund, është vërtet fantastike”, tha Hansi Flick.

Fitore që riktheu entuziazmin në radhët e skuadrës katalanase, mbi të gjithë të Dani Olmos, tashmë i gatshëm për të kontribuar për Barcelonën edhe në fazën e dytë të sezonit. Barcelona shënoi fitoren e dytë radhazi ndaj Real Madrid për më tepër duke i shënuar të paktën 4 gola në të dy rastet për një total prej 9 rrjetave.

“Barcelona e meritoi fitoren. Nuk kursej asgjë, përpos Kylian Mbappe. Ai shënoi një gol dhe bëri ndeshje të mirë, pjesa tjetër duhet ta harrojmë. Përgatitemi për sfidat e radhës dhe të shohim përpara”, tha Carlo Ancelotti.

Me këtë sukses, Barcelona koleksionon 8 milionë euro fitime, kundrejt 7 të Real Madrid, që tashmë duhet të fokusohet në kompeticionet e tjera për të tentuar fitimin e titujve këtë sezon.

Klan News