Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka kërkuar kryeparlamentares Elisa Spiropali të thërrasë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitet. Kërkesa e demokratëve vjen në lidhje me shqyrtimin e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, për të cilin deri tani janë zhvilluar dy mbledhje.
Në letrën e tij, Bardhi thotë se kryetarja e Kuvendit nuk ka thirrur më mbledhje të këtij Këshilli, që prej datës 18 Shtator duke penguar vijimin e procedurës parlamentare dhe dërgimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese.
“Ky pengim i kryetares së Kuvendit është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit dhe gjithashtu një cënim flagrant i të drejtës kushtetuese të 1/10 të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”, shkruhet në letrën e Bardhit.
Prandaj ai bën thirrje për mbledhjen sërish të Këshillit dhe përfshirjen në rendin e ditës së një prej seancave më të para të Kuvendit me qëllim dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Kujtojmë se seanca e Këshillit të Mandateve për deputetin Sinaj u ndërpre më 18 Shtator për shkak të vdekjes së ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani. Prej asaj mbledhje nuk është zhvilluar asnjë tjetër.
Partia Demokratike e akuzon deputetin e mazhorancës se ka përfituar fonde publike dhe për këtë arsye për mandatin e tij duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, Sinaj ka mohuar çdo akuzë./tvklan.al