Këshilli për Rregulloren e Mandatet ka shqyrtuar sot kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi se, deputeti i mazhorancës ka përfituar fonde publike dhe për këtë arsye për mandatin e tij duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij, Sinaj dha sqarime në lidhje me aktivitetin e kompanive të tij që nga koha që ai ka marrë mandatin e deputetit.
Më pas debate mes dy deputetëve kaloi në akuza personale. I zgjedhuri socialist në Qarkun e Vlorës akuzoi Bardhin për shantazh ndaj deputetëve të tjerë demokratë, të cilët sipas tij, nuk kanë pranuar të firmosin kërkesën për mandatin e tij.
Pas këtyre akuzave, Bardhi e ftoi socialistin që t’i drejtohej organeve të drejtësisë.
Pas debateve, drejtuesja e mbledhjes Elisa Spiropali, pranoi kërkesën e deputetit Sinaj i cili kërkoi më shumë kohë për tu njohur me dosjen e paraqitur nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Sinajt do i paraqesë më shkrim argumentet e tij dhe për këtë arsye kryetarja e Kuvendit vendosi që mbledhja e radhës së këshillit të mandateve të mbahet javës tjetër.
Klan News