Pas padisë që Kryeministri Rama paralajmëroi për kallëzim të rremë ndaj Gazment Bardhit, ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar demokrat. Përmes një deklarate të gjatë Bardhi thotë se nuk ka patur asnjë hetim nga ana e SPAK-ut për vëllain e kryeministrit dhe se çështja ka qenë në duart e të nëjtit prokuror që gënjeu edhe për ngjarjen e Elbasanit në vitin 2021.

“Kjo ka ndodhur sepse prokurori i çështjes, i njëjti që gënjeu publikisht për ngjarjen e Elbasanit në 2021, se në makinën e ndaluar nuk ndodheshin materiale elektorale, nuk ka identifikuar dot asnjë nga autorët e tjerë të veprave penale që kanë mbetur të paidentifikuar prej 10 vitesh tashmë”, shprehet Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të demokratëve akuzon SPAK-un për favorizim politik duke amnistuar vëllain e Kryeministrit.

“Prokurori është kujdesur të thotë politikisht që Ols Rama nuk rezulton i përfshirë në veprimtari të paligjshme, sepse s’ka hetuar dhe për pasojë nuk ka prova. Kur prokurori nuk ka arritur të zbulojë identitetin e personave të paidentifikuar, si ka arritur në konkluzionin se vëllai i kryeministrit nuk ka qenë i përfshirë në aktivitet kriminal?! Si ka përfunduar hetimet, siç thotë në fjalinë e parë, ndërkohë që në fakt ka vendosur pezullimin e hetimeve, pra s’ka përfunduar asnjë hetim?!”, shtoi Gazment Bardhi.

Teksa ngre disa pyetje në adresë të SPAK-ut dhe Kryeministrit, Bardhi thotë se të dhënat e TIMS-it provojnë përfshirjen e vëllait të Kryeministrit në këtë çështje.

“Çfarë e lidh Ols Ramën me krerët e narko-organizatës dhe me makinën e trafikut?

Pse ka përdorur në të njëjtën kohë, të njëjtën makinë, Ols Rama dhe trafikantët e dënuar të Xibrakës?

A keni kërkuar informacion nga Policia e Shtetit për pamundësinë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe sesi kanë arritur të identifikojnë moshën fikse të personit (45 vjeç), pa ditur identitetin e tij?

Ditën e arratisjes së Genci Xhixhos, Ols Rama ka kaluar kufirin me makinë, por pa e regjistruar automjetin. Pse nuk është regjistruar automjeti i Ols Ramës?

Pse nuk bashkëpunuat edhe me prokurorinë/policinë e Hanoverit, Gjermani, si autoriteti që disponon të dhënat fillestare dhe përgjimet e grupit?

Kë nga narkotrafikantët njeh Ols Rama dhe në pse genjeu që e ka përdorur vetëm një herë automjetin, kur të dhënat e TIMS provojnë e ka përdorur të paktën 7 herë?”

Mesazhin e gjatë drejtuar Kryeministrit dhe SPAK-ut, Bardhi e shoqëron me një deklaratë të ish-Ministrit të Brendshëm Taulant Balla, i cili sipas tij ndonëse ishte në dijeni se kush ishte personi i paidentifikuar, ende nuk është pyetur nga organi i akuzës.

Tv Klan