Lajme Arkiva 2003
Vazhdojnë debatet brenda Partisë Socialiste. Pas deklaratës së kryetarit të Bashkisë Edi Rama në emisionin opinion, sekretari për marrëdhëniet publike në Partinë Socialiste, Bardhyl Agasi u shpreh se Rama nuk është i vetmi anëtar i Partisë Socialiste që mendon se kryetari Fatos Nano duhet të japë dorëheqjen duke nënkuptuar se po shtohen radhët e socialistëve të pakënaqur me kryeministrin brenda partisë.
Bardhyl Agasi: Është e drejta e Edi Ramës të shprehet dhe unë nuk marr përsipër të bëhem komentuesi i Edi Ramës, por nuk është një zë i vetëm. Do thoja se ka edhe deputetë të tjerë që e kanë shprehur këtë mendim.
Në lidhje me këtë sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi tha se të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste duhet të ndjekin rrugën institucionale brenda partisë dhe jo mediat.
Gramoz Ruçi: Përfitoj nga rasti ti uroj edhe njëherë mirëseardhjen në strukturën tonë politike zotit Rama dhe do të këshilloja këdo që çdo kërkesë e kujtdo natyre qoftë, Partia Socialiste ka hapësirat dhe institucionet e duhura të cilat propozohen, këshillohen dhe vendosen dhe ato nuk mungojnë që të shfrytëzojnë ekranet televizive, apo faqet e gazetave.
Ruçi deklaroi se ndryshimet në statutin e partisë do të rishikohen. Nesër sekretari i përgjithshëm do të takohet me kandidatin për kryetar partie Rexhep Meidani me të cilin do të bisedojë për të gjitha pakënaqësitë ndaj statutit që sipas Gramoz Ruçit burojnë nga mungesa e informacionit.
Gramoz Ruçi: Sot i kam bërë një telefonat profesor Meidanit, i cili ka shpalosur kandidaturën e tij dhe konstatova dy gjëra. E para kishte mungesë informacioni dhe e dyta që deri më sot nuk kam parë ndonjë propozim të tillë për ndryshime në programin apo statutin e partisë. Prandaj e kam ftuar nesër miqësisht dhe institucionalisht të shkëmbejmë informacione përkatëse dhe do të prisja me kënaqësi çdo sugjerim të tij, për t’ia bërë prezentë komitetit të përgjithshëm drejtues dhe më tej kongresit./tvklan.al