Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pati një prononcim të shkurtër për mediat pas takimit me kryesinë. Kryedemokrati tha se fokusi i PD-së tashmë është tek e ardhmja. Ai u shpreh se së shpejti opozita do të paraqesë platformën ekonomike, e cila sipas tij është dëmtuar rëndë gjatë kohës së socialistëve në pushtet.

“Sfida më e madhe e çdo familje sot është kriza ekonomike. Zgjidhja nuk mund të vijë nga ata që e zhytën në krizë këtë vend duke e zhvatur Shqipërinë në këto 7 vite. I gjithë fokusi ynë tani është tek e ardhmja. Është tek një ekonomi e fortë dhe një Shqipëri e fortë. Ndaj Pd dhe opozita janë të vendosur të paraqesin platformën ekonomike, ta paraqesin kudo nëpër Shqipëri”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se opozita nuk do të humbasë kohë me kurthet e qeverisë, por do t’i përqendrojë energjitë edhe tek fitorja e zgjedhjeve të ardhshme.

“Ne do të fitojmë zgjedhjet bashkë me shqiptarët, do t’u kthejmë qeverisjen e këtij vendi. do të kemi fokus rindërimin e ekonomisë së fortë. Nuk do të humbasim asnjë sekondë në gropat dhe kurthet e një qeverie të dështuar në largim, por do të përqendrojmë energjitë e opozitës tek fitorja e zgjedhjeve të ardhshme dhe zgjidhja e krizës së rëndë ekonomike”.

Partia Demokratike mblodhi kryesinë këtë të diel. Mësohet se në qendër të diskutimeve ka qenë reforma zgjedhore dhe sqarimi për detajet e marrëveshjes dhe aksioni politik që opozita do të ndjekë në vijim.

Mësohet se Basha, i propozoi kryesisë nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore duke sipas parimit “një anëtar një votë”.

Sipas Bashës përfshirja e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve është një detyrim që u përfshi në statutin e PD me kërkesë të tij. Basha tha se ky proces pritet të nisë nga 20 Qershori deri në 15 Shtator.

/tvklan.al