“E vërteta po del në shesh, drejtësia do veprojë”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se Komisioni Hetimor Parlamentar për Inceneratorët vërtetoi atë që ai e quajti “afera korruptive e shekullit”.
“…është një nga aferat korruptive me të cilat janë marrë paratë e shqiptarëve, janë zhdukur nga xhepat e baballarëve dhe nënave, janë hequr nga tryezat e vogëlushëve shqiptarë, nga shkollat dhe spitalet për të pasuruar në mënyrë marramendëse një grusht njerëzish”.
Në një takim me banorët e Dibrës, Basha tha se e vërteta po del në shesh dhe se drejtësia do të veprojë.
“Do të fillojë të veprojë sepse shqiptarët nuk e kanë hak këtë keqqeverisje, shqiptarët nuk e kanë hak këtë varfëri dhe mjerim”.
Demokratëve të Dibrës u kërkoi të mbështesin kandidatin Luan Haka dhe të mos mashtrohen nga ato që i quajti marifete.
“…kudo ku po zhvillohen këto zgjedhje të pjesshme që nga Shkodra, në Lushnje, në Rrogozhinë, në Vorë, në Durrës e në veçanti në Dibër askush nuk po bie pre e marifeteve të vjetra apo të reja. Dhe dibranët me mençurinë e tyre, dibranët e zgjuar nuk janë në shitje, as nuk gënjehen, as nuk mashtrohen, Luan Haka është kandidat i Partisë Demokratike, ka një Parti Demokratike dhe do të jetë me besimin dhe votën e dibranëve kryetari i bashkisë”.
Basha tha se ndryshimi është misioni kryesor i Partisë Demokratike.
Tv Klan