“KÇK nuk mund të luftojë KÇK”! Është ky reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në lidhje me miratimin e paketës AntiKÇK nga qeveria. Në një postim në rrjetet sociale, Basha thotë se Rama dhe qeveria e tij nuk mund të luftojnë krimin dhe korrupsionin sepse janë vetë krimi dhe korrupsioni.

“Pas 7 vitesh dështim, një gjë është e qartë. Edi Rama dhe qeveria e tij nuk mund të luftojnë krimin dhe korrupsionin sepse ata jane vetë krimi dhe korrupsioni. KÇK nuk mund të luftojë KÇK”, shkruan Basha në Twitter.

Në lidhje me paketën AntiKÇK kanë reaguar edhe ambasada amerikane dhe delegacioni i BE-së në vendin tonë. Qeveria kaloi me një akt normativ paketën AntiKÇK të premten.

Subjekte të këtij ligji do të jenë të gjithë të dënuarit për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata kriminale, apo grupe të tjetra kriminale dhe terroriste, si dhe për trafiqe e krime të tjera të rënda.

Me këtë paketë, pasuria e tyre do të kalojë në sitën e Policisë së Shtetit, SPAK-u dhe Gjykatave të Posaçme. Pjesë e saj janë dhe të gjithë ata që janë akuzuar për këto vepra penale, por nuk janë dënuar asnjëherë për shkak se mund të kenë blerë, sipas qeverisë, lirinë e tyre tek gjykatës apo prokurorë të korruptuar./tvklan.al