Lulzim Basha thotë se do ta vijojë betejën për zgjedhje të lira e të ndershme pas deformimit të votës së shqiptarëve në 25 qershor. Edhe përpara demokratëve të Vlorës, Sarandës, Himarës e Selenicës kryetari i vetëngrirë tha se këto zgjedhje ashtu si ato të vitit 1991 nuk ishin të lira e demokratike, por të diktuara nga paratë e krimit dhe drogës.
“Njësoj si në vitin 1991, kjo nuk mjaftoi. Sepse njësoj si atëherë, faktorët që vendosën nuk ishin votat dhe vullneti i shqiptarëve, por tjetërsimi i këtij vullneti duke përdorur frikën, dëshpërimin, dhe varfërinë e thelluar nga kjo qeveri për të blerë vota, për të kërcënuar dhe shantazhuar votuesit dhe për të tjetërsuar rezultatin. Beteja për zgjedhje të lira e të ndershme, beteja për bashkimin e demokratëve në bazë të kontributit dhe fuqizimin e anëtarësisë së Partisë Demokratike dhe beteja për fatet e përditshme të shqiptarëve”,
tha Lulzim Basha.
Por rivali i tij i vetëm në garë, Eduard Selami i cili vijoi turin e takimeve në jug të vendit tha se Basha nuk ngjall shpresë për të sjellë Partinë Demokratike në pushtet, dhe se është i pabesueshëm për partnerët ndërkombëtarë.
“E kam quajtur një politikë të gabuar të Bashës dhe aty u dëmtua mënyrën sesi e trajtojnë çështjen e marrëveshjes dhe futjen e tij në përplasje me komunitetin ndërkombëtar dhe aleatët tanë strategjik, dhe këtë çmim e pagoi me humbjen. Marrëveshjen e kam përshëndetur thjesht në parim, ndërsa detajet e saj i kam kritikuar dhe them që është një ndër shkaqet e humbjes”,
u shpreh Selami.
Por teksa Lulzim Basha kërkon një mandat të dytë për të vijuar betejën për votën e lirë, Eduard Selami e akuzon për mungesë dialogu në parti dhe e fton të mbajë premtimin për debate të hapura si dhe të shpallë listën e anëtarësisë së Partisë Demokratike. TV KLAN