Bashkimi Evropian shprehet optimist për liberalizimin e vizave me Ballkanin Perëndimor brenda vitit 2009.

Mbështetur në të dhënat paraprake të misioneve faktmbledhëse, përfaqësuesit e Presidencës Çeke, të vendeve anëtare dhe komisionit, shprehën në Pragë optimizëm të matur për përmbylljen me sukses të procesit të heqjes së vizave për Ballkanin Perëndimor brenda vitit 2009.

Në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Çeki, ministri Basha mori mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Homologet evropianë rikonfirmuan perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, mbështetur në Agjendën e Selanikut dhe shmangën çdo mëdyshje për sa i përket afrimit të Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane dhe duke e konsideruar integrimin e tij të plotë në union si vital për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe vetë Evropës.

Lulzim Basha: “Gjeta vetëm mbështetje të plotë dhe mirëkuptim për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe fazën tjetër të këtij procesi që vjen krejt natyrshëm dhe që është aplikimi për anëtarësim të plotë në BE. Përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave duket se diskutimet e sotme ku kanë qenë vetëm ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë qenë shumë të frytshme. Është njohur qartësisht rëndësia e këtij procesi për paqen dhe stabilitetin në rajon, për përparimin e mëtejshëm të rajonit dhe të integrimit të tij të plotë në Bashkimin Evropian nëpërmjet rritjes së kontakteve midis banorëve, qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të zonës Shengen të Bashkimit Evropian dhe në këtë kuadër siç u shpreh edhe komisioneri Rehn gjatë punimeve ka një optimizëm përsa i përket përfundimit me sukses të këtij procesi brenda parametrave kohorë të shprehur tashmë që është fundi i këtij viti”.

Ministrat e Punëve të Jashtme të pranishëm në këtë takim diskutuan edhe mbi krizën financiare dhe ekonomike.

Në këtë kontekst, duke u bazuar edhe në argumentet dhe kërkesat që ministrat e rajonit shprehën gjatë mëngjesit të punës me zv/kryeministrin çek, Alexsandr Vondra, u ra dakord për një paketë ndihme prej 150-250 milionë euro në mbështetje të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lulzim Basha: “U ra dakord që instrumentet e para aderimit, që janë të pranishme në vendet tona, të shqyrtohen si një nga instrumentet ku mund të rritet kontributi financiar me një shumë që mund të variojë nga 150 deri në 250 milion euro përkohësisht për të ndihmuar në fusha të tilla si mbajtja e një kursi këmbimi stabël midis monedhave vendase dhe euros për të ndihmuar dhe në efekte të tjera, ku qeveritë tona janë detyruar të kryejnë politika ndërhyrëse duke mbështetur biznesin e vogël apo të mesëm, duke mbështetur degë të veçanta të ekonomisë”.

Gjatë fjalës të tij në takim, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zoti Lulzim Basha, falënderoi Presidencën Çeke për vendosjen e Ballkanit Perëndimor dhe proceseve integruese të tij në BE si prioritete të aktivitetit të saj në këto 6 muaj.

Ai shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për të gjitha vendet anëtare të BE-së për ratifikimin e MSA-së.

Kjo marrëveshje hyn në fuqi më 1 Prill, vijoi ministri Basha, dhe në të njëjtën javë Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s.

Ministri pati rastin, gjithashtu, të takohet e të bisedojë me një numër të madh kolegësh dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian.

Gjatë gjithë këtyre takimeve, zoti Basha mori mbështetjen dhe mirëkuptimin tyre të plotë për vijimin e proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 

Për herë të parë në një format të tillë ishte i ftuar dhe mori pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, zoti Skënder Hyseni, i cili mbajti edhe një fjalë gjatë takimit me Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian./tvklan.al

Gazetare: Sonila Meço