Edhe pse Saimir Tahiri e Ilir Beqaj kanë qenë në shënjestër të akuzave të opozitës për lidhje me krimin, narkotrafikun e afera klienteliste, shkarkimet e tyre, Lulzim Basha i sheh vetëm si fillimin e një beteje të nisur 24 ditë më parë nga opozita. Kreu i demokratëve tha se opozita nuk do të ndalet pa largimin e kryeministrit Rama dhe krijimit të një qeverie teknike, që sipas tij do t’i hapë rrugë një procesi zgjedhor demokratik.

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së:

Ne e dimë se këta të dy, e dy të tjerët janë shërbëtorë të kupolës se krimit, ndaj flijimi i tyre dhe largimi i çirakëve na inkurajon për t’i shkuar deri në fund betejës që kemi nisur.

Një paralajmërim e bëri edhe për kryeministrin Rama nëse do të vërtetohen akuzat e një portali italian për futjen e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri.

Shqetësimin për situatën politike në vend Lulzim Basha së bashku me aleatët e opozitës e ndanë edhe me ambasadorët e vendeve të BE-së në një drekë punë që zgjati afro dy orë, ku u vu re mungesa e ambasadores së Bashkimit Europian, Romana Vlahutin.

Diskutuam zhvillimet politike dhe rrugëdaljen nga kriza politike ku e ka futur vendin pamundësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një qeveri të bërë njish me krimin dhe drogën

.”

I pyetur nga media për mospjesëmarrjen e ambasadores së Bashkimit Europian Romana Vlahutin, në takim Basha tha se opozita ka një komunikim të vazhdueshëm me aleatët europianë e amerikanë dhe se në drekën e punës mungonin edhe ambasadorë të tjerë të vendeve të BE-së.

Tv Klan