Lulzim Basha thotë se Partia Demokratike po harton planin ekonomik, në përputhje edhe me situatën e krijuar pas pandemisë së Covid-19.

Në një bashkëbisedim me kreun e Konfindustria, Gjergj Buxhuku, Basha renditi edhe problemet që sipas tij, përbëjnë shqetësimin më të madh të industrialistëve shqiptarë.

“Mungesa e konkurrencës së lirë, korrupsioni endemik, burokracitë, taksat e larta dhe shpenzimet buxhetore jo të orientuara në shërbim të nevojave reale, por shpeshherë në kontrata dhe projekte inefiçente, mbeten shqetësimet kryesore të industrialistëve shqiptarë. Konkurrenca e pandershme, përfshirja në ekonominë shqiptare të parave me origjinë të dyshimtë, mungesa e politikave mbrojtëse të prodhimit vendas, aksesi i ulët në kreditimin e ekonomisë, mungesa e sigurisë juridike në respektimin e kontratave dhe ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale ishin kryefjala gjatë bashkëbisedimit tonë. Ky bashkëbisedim shërbeu për të diskutuar mbi planin tonë ekonomik, të cilin po e përshtasim me realitetin e ri ekonomik të krijuar për shkak të pandemisë COVID-19”.

Sipas Bashës, prioritet i Partisë Demokratike do të jetë ulja e taksave, thithja e investimeve të huaja dhe bashkëpunimi me biznesin vendas.

Respektimi i sigurisë juridike e gërshetuar me politika të qëndrueshme fiskale dhe rregullatore do të jenë boshti kryesor i platformës tonë. Implementimi i taksës së sheshtë 9%, eliminimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve do të jenë faktorë vendimtar në parandalimin e konkurrencës së pandershme në treg. Reformat tona do të jenë të qarta, konkrete dhe të realizueshme”, shprehet kreu i PD Lulzim Basha. /tvklan.al