Berisha: Rama po shkatërron sistemin shëndetësor
Për kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, shëndetësia falas në Shqipëri është një gënjeshtër kriminale. Basha akuzoi qeverinë se po vjedh miliona Euro në vit me koncesionet në shëndetësi.
“Buxheti i shtetit për shëndetësinë është 115 Dollarë për frymë, tre herë më pak se Bosnja. Nuk janë koncesione dhe PPP. Janë vjedhje me kosto 35-40 milionë Euro në vit. Problemet janë të qarta. Nisin dhe bazohen mbi gënjeshtrën e madhe të shëndetësisë falas”.
Gjatë konferencës “Sfida dhe vizione ne shëndetësi”, Basha përsëriti premtimin se anulimi i koncensioneve dhe rritja e pagave për personelin mjekësor janë dy nga vendimet e para që do të ndërmarrë sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet.
“Do ta nisim me 1200 Euro për mjekët dhe 700Eeuro për infermierët. Për të kontrolluar ikjen e personelit mjekësor, duhet një ndarje e qartë e roleve të aktorëve”.
Kritikat e forta ndaj sistemit shëndetësor dhe qeverisjes aktuale nuk i kurseu as ish-Kryeministri Sali Berisha. Përgjegjës, sipas tij, është Kryeministri Edi Rama.
“Çdo ditë mjekë dhe studentë largohen nga vendi. Sistemi shëndetësor ishte i brishtë, Rama po e shkatërron. Ne kishim aksesin më të mirë në sistemin shëndetësor, edhe atë e shkatërruan”.
Akuza pati edhe ndaj sistemit farmaceutik, që sipas opozitës, është nën pushtetin e mafias së barnave.
Tv Klan