Shkarkimi i Besim Hajdarmatajt nga drejtimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për kreun e opozitës Lulzim Basha është tërësisht i paligjshëm dhe Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku do të mbajë përgjegjësi për këtë veprim.

Në një konferencë për mediat, Basha i quajti “kamikaze”, si Markun, ashtu edhe zëvendësuesen e Hajdarmatajt, Donika Prelën.

Mbrëmë Edi Rama shpalli në media urdhrin e tij ndaj prokurorisë, kur deklaroi publikisht se nuk ka prova për ta dënuar Saimir Tahirin dhe se ai kishte punuar mirë. Por nuk u ndal me kaq. Sot, kamikazja e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme njoftoi shkarkimin e Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, drejtuesin e prokurorëve që hetojnë Saimir Tahirin. Ai është zëvendësuar nga një tjetër kamikaze e Edi Ramës.

Basha tha se shkarkimi i kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, vjen vetëm pak ditë pas mbërritjes së materialeve hetimore nga Greqia dhe Italia dhe pak ditë pasi prokuroria mori në pyetje shoferin e Saimir Tahirit, si dhe vendosi ta thërrasë edhe këtë të fundit.

Basha tha se ky shkarkim vjen në ditën kur prokuroria nuk kishte më nevojë për autorizimin e Edi Ramës dhe mazhorancës për arrestimin e Tahirit, pasi KZQ njoftoi heqjen e mandatit të tij si deputet.

Në vazhdim, kryedemokrati pyeti: “

A është shkarkuar Hajdarmataj sepse në dosjen hetimore po mblidheshin të tjera prova për Tahirin dhe lidhjen e tij me Ramën? A është emëruar prokurorja e re për të shkatërruar këto prova për Tahirin, qoftë edhe duke e dorëzuar Saimir Tahirin në mënyrë të kontrolluar tek drejtësia, që do të thotë e arrestojnë sa për sy e faqe dhe pastaj e shpallin ta pafajshëm duke shkatërruar çdo provë?

Basha tha se Marku do të mbajë përgjegjësi për këtë veprim të paligjshëm.

Ky është një vendim i paligjshëm për të cilin prokurorja e Edi Ramës do të mbajë përgjithësi personale dhe ligjore. Ndërkohë, Kushtetuta ndalon çdo lloj emërimi në prokurori pa kaluar më parë Vettingu. Por vendimi nuk është i Arta Markut, por i Edi Ramës që kontrollon plotësisht Arta Markun.

Vendimi i shkarkimit u mor këtë të mërkurë nga Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku. Në vend të tij në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është komanduar prokurorja e Durrësit, Donika Prela. Hajdarmataj e mori këtë detyre rreth dy vite me parë, kur u emërua me dekret presidencial.

Ai ishte prokurori që në muajin Tetor kërkoi nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e ish-Ministrit Tahiri. Ditët e fundit, prokurorët e dosjes kanë qenë mjaft aktivë, duke marrë dëshmitë e disa personave, veç sekuestrimit të dokumenteve nga disa institucione, apo edhe marrjen e informacione nga Italia dhe Greqia./tvklan.al