“Qeveria braktisi qytetarët, ndan paratë me oligarkët”

Lulzim Basha i është rikthyer turit të takimeve më banorët e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilët ende jetojnë në çadra.

Shqetësimit të banorëve se shtëpitë e tyre nga të klasifikuara si të pabanuara, janë nxjerrë nga lista e objekteve që duhen prishur, Basha iu kundërpërgjigj me akuza ndaj qeverisë për korrupsion.

“Është korrupsion që fillon nga kryepleqtë këtu e mbaron në bashki e qeveri. Korrupsioni dhe vjedhja që po bëjnë me fondet e tërmetit, nuk ka për të shpëtuar asnjëri prej tyre. Peshqit e mëdhenj në Tiranë po e po, por edhe këta këtu që tallen me ju”.

Qytetarëve që ende vijojnë të qëndrojnë në çadra, kryedemokrati u premtoi se pas ardhjes në pushtet ata do të jenë prioritet i qeverisë së tij.

“Kanë hapur këto 9 muaj tendera dhe PPP pafund. I kanë dhënë miliona euro pesë oligarkëve dhe kanë harruar qindra mijëra njerëz të goditur nga tërmeti. Një orë e më parë duhet ta ndryshojmë se me këtë qeveri do të thellohet e keqja. Mos prit asnjë zgjidhje. Nesër me mundësitë që do të kemi në drejtim të vendit, të jesh i sigurt se prioriteti im s’do të jenë 5 oligarkët, por ju dhe familja juaj”.

Sipas Bashës, krahas situatës së vështirë që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, banorët e zonave u braktisën nga qeveria edhe gjatë kohës së pandemisë.

Tv Klan