Kryedemokrati Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e sotme takim me strukturat e PD-së, ku në epiqendër ka qenë “Siguria dhe Rendi” në vend. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, për të cilin pretendon se ka vënë gjoba në Policinë e Shtetit teksa shton se “në çdo detyrë ka funksionuar si delinkuent i vërtetë”.

Akuza ka hedhur edhe ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodës, për të cilin ka thënë se sipas Berishës, është bashkëpunëtor i ngushtë i bandave më të rrezikshme të Shqipërisë, atyre në Elbasan. Referuar Berishës, telefoni i Prodës me komunikimet kriminale ndodhet në duart e Prokurorisë.

Megjithatë, kryedemokrati shton se “telefoni i sekuestruar i Prodës nga drejtësia, përdoret për ta marrë peng atë dhe keqpërdorur në radhë të parë, kundër misionit të Policisë së Shtetit dhe pastaj në funksion të partisë-shtet”.

Sali Berisha: Historia e kriminalizimit të piramidës drejtuese të Policisë së Shtetit dhe policisë në tërësi, është drama e madhe e një institucioni jetik për ligjin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë, për të cilën shqiptarët kishin investuar vite dhe dekada. Komuniteti ndërkombëtar kishte farkëtuar me këtë institucion një bashkëpunim të admirueshëm. Njëri pas tjetrit, ministrat që erdhën pas gangsterit të parë dhe trafikantit Tahiri, ishin jo më pak trafikant dhe delikuent se sa ai, nga i pari tek i fundit. Ata janë të njohur për publikun. Por ç’mund të them unë për këtë të fundit?  Ky është ministri me tre mbiemra dhe disa vila. Ky ka qenë një gjobëvënës i neveritshëm në Policinë Rrugore, dhe në çdo detyrë ka funksionuar si delinkuent i vërtetë.

Drejtori aktual Proda, bashkëpunëtor i ngushtë i bandave më të rrezikshme të Shqipërisë, atyre në Elbasan, edhe sot e kësaj dite telefonin e ka në duart e prokurorisë, sepse komunikimet e tij kriminale, tashmë janë të njohura, por natyrisht Skapi i partisë e ka me regji edhe akuzën, ndaj dhe ajo përdoret. Telefoni i sekuestruar i tij nga drejtësia, përdoret për ta marrë peng atë për ta përdorur dhe keqpërdorur në radhë të parë, kundër misionit të Policisë së Shtetit dhe pastaj në funksion të partisë-shtet.

Berisha shprehet se 10-vjeçari i fundit ka qenë periudha më e zezë për Policinë, pasi sipas tij, shteti u bë njësh me krimin dhe policët prishin prova.

Sali Berisha: Vitet 2014-2024 ishin dhjetëvjeçari i zi për Policinë e Shtetit, 10-vjeçari në të cilin edhe për shtetin shqiptar, 10-vjeçar në të cilin shteti dhe krimi, krimi dhe shteti u shkrinë në një sipërmarrje të përbashkët, siç dëshmojnë rezolutat tashmë të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë.  Dhe e vërteta më dramatike, më tragjike është, kjo sipërmarrje e përbashkët krim-pushtet, pushtet-krim.

Pra nëqoftëse analizojmë aktualitetin është me të vërtetë shumë dëshpërues. Policë të inkriminuar që çdo ditë prishin prova, manipulojnë dosje, fshehin krime, vendosin gjoba për të rrjepur qytetarët. Këto janë tiparet dominuese sot, të Policisë së Shtetit të drejtuar nga Proda, me qindra mijëra faqe mesazhe dhe biseda, jerarkët e policisë së Edi Ramës, zënë një vend qendror në komunikimet e tyre me bandat kriminale, me vrasësit, me trafikantët dhe ata kanë qenë përdorues ndër më kryesorët, pothuajse sa banditët të telefonave të enkriptuar.

/tvklan.al