Bashkia e Fierit nuk ka buxhet për tabelat që do të emërtojnë rrugët dhe sheshet e paidentifikuara. Në këtë qytet janë 131 rrugë dhe 4 sheshe pa emër. Drejtori i Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Fier Edmond Leka shpjegon se për emërtimin e tyre janë bërë konsultime me historianë, arkeologë, përfaqësues të partive politike dhe me shoqata kulturore lokale.

Lista me propozimet për emrat e rrugëve do të miratohet nga Këshilli Bashkiak që do të mblidhet javën tjetër. Sipas përllogaritjve, për vendosjen e tyre për çdo kryqëzim nevojiten 1437 tabela, ndërsa për vendosjen e numrave të ndërtesave për çdo ndërtesë nevojiten 7000 copë të tilla. Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, kostoja e prodhimit dhe e vendosjes së tyre, sipas ofertave që disponohen nga Bashkia, shkon rreth 6 mln lek, kosto kjo e paparashikuar në buxhetin e vitit 2004.

Edmond Leka: “Agjencia e Prokurorimeve Publike mund të na japë të drejtën që të bëhen prokurorime të drejtpërdrejta, sepse vetë periudha në të cilën kërkohet zbatimi i ligjit është në një periudhë shumë e ngushtë dhe nuk na lejojnë që të zbatojmë procedurat e plota të këtij procesi.”

Nga Bashkia e Fierit për këtë vit janë pajisur me emra 81 rrugë. /tvklan.al