ENO1Bashkia e Tiranës akuzoi kryeministrin e vendit Edi Rama se i ka kërkuar fondit Abu Dhabi që të ndërpresë financimin për zgjatimin e bulevardit të ri të kryeqytetit. Nënkryetari Eno Bozdo, thotë se ky është akti më i paprecentë që mund të bëjë kryeministri i një vendi ndaj interesave te qytetareve te tyre.

“Akti i fundit, më i rëndi dhe më i paimagjinueshmi, është kërkesa që Edi Rama i ka bërë Fondit të Abu Dabit për të ndërprerë financimin e projektit më të rëndësishëm të Tiranës në 70 vitet e fundit. Çdo kryeministër normal do të angazhohej për avancimin e punimeve të një projekti kaq të rëndësishëm dhe me ndikim kaq të madh për jetën e qytetarëve dhe të ardhmen e kryeqytetit të vendit. Është ky një rast i paprecedent në botën e qytetëruar që një kryeministër i nisur thjesht dhe vetëm nga politika e verbër e konfliktit dhe xhelozia, të kërkojë ndërprerjen e financimit për një projekt që i shërben qytetarëve”

, tha një deklaratë për mediat nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo.

Bashkia numëron edhe disa raste në të cilat sipas saj është bërë bllokimi i bulevardit duke filluar nga Bllokimi i buxhetit në dy raste, me Vendim të Këshillit Bashkiak në Dhjetor 2013 si dhe atë të bërë nga prefekti. Bllokimi i Projekt Buxhetit në 2014-2015, kohë kur keshilltarët e majtë kërkuan me ngulm heqjen e zërit të financimit për projektin e Bulevardit. Në Shkurt dhe mars 2014 u ndërprenë punimet nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Ishte Gjykata Administrative që konsideroi të paligjshëm vendimin e këtij inspektoriati. Sipas Bashkisë, Ministria e Financave ka nisur proceduravet e bllokimit të marrëveshjen ndër-qeveritare të ratifikuar në Parlament në 2013-ën me financuesit e projektit Fondin e Abu Dabit.

TV KLAN