Dhjetëra ndërtime pa leje në zonën bregdetare të Jonit pritet të shemben, sipas një strategjie të Ministrisë së Turizmit. Shembja e ndërtimeve pa leje do të nisë nga Radhima e Orikumi dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë pikave turistike të jugut deri në Ksamil.

Bashkim Fino: “Në zonën bregdetare të jugut, nga Gjiri i Vlorës deri në Butrint, janë evidentuar dhe nxjerrë vendime për prishjen e 317 objekteve dhe janë prishur 280 të tilla, në zonën e ndërhyrjes, si Vlora, Orikumi, Saranda, Ksamili dhe Parku i Butrintit. Janë gati procedurat për 112 vendime për zonat: Radhimë, Dhërmi, Jalë, Qeparo, Borsh e Sarandë. Theksojmë se këtyre vendimeve i shtohen edhe objektet pa leje ndërtimi të përcaktuara në zonën nga hotel “butrinti” deri në Kanalin e Çukës, Sarandë, në zbatim të vendimit urbanistik të miratuar nga KRRTRSH-ja.”

Mbi 400 objekte pa leje në zonat bregdetare janë shembur gjatë 6 muajve të parë të vitit dhe aksionet për pastrimin e zonës do të shtrihen edhe gjatë muajve të ardhshëm.

Bashkim Fino: “Deklaroj vazhdimin dhe fillimin e një procesi edhe më të fortë të prishjeve të ndërtimeve pa leje i cili do të vazhdojë përgjatë gjithë tremujorit në vazhdim deri në stabilizimin, rehabilitimin e situatës ndërtimore në bregdet.”

Një fushatë e tillë e pastrimit të zonës së jugut nga ndërtimet pa leje bëhet me qëllim përgatitjen e kushteve për studimin urbanistik për bregdetin e jugut. /tvklan.al