Dyshohet të jenë përdorur në më shumë se 2 ngjarje
35-vjeçari, Luçiano Deraj i arrestuar nga Policia e Vlorës për bazën e armatimeve në fshatin Babicë, ka refuzuar të flasë përpara hetuesve.
Insistimi i oficerëve të policisë nuk ka bindur të riun e njohur dhe me emrin Albano, për të treguar nëse armatimet e gjetura në banesën e tij janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Në këto kushte policisë dhe prokurorisë u duhet të presin përgjigjen e ekspertizës për të parë nëse armët e gjetura, mes të cilëve snajper e kallashnikovë janë përdorur në të kaluarën.
I riu ishte në hetim për dy ngjarje të regjistruara në Vlorë kohë më parë, dhe nga hetuesit njihet si person i cili u siguronte dhe shiste armatime grupeve kriminale në qytetin bregdetar.
Ndonëse dyshimet e policisë janë se armët mund të jenë përdorur në dy vrasje të ndodhura kohë më parë, burimet thonë se nuk përjashtohet mundësia që me to të jenë kryer më shumë ngjarje të rënda.
Tv Klan