Banka Botërore në një raport të fundit lëshon sinjalin e alarmit për arsimin e lartë në Shqipëri. Eksperti i arsimit, Migen Qiraxhi thotë se raporti ngre disa probleme thelbësore duke nisur nga cilësia e dobët, kurrikulat e vjetërsuara dhe mospërputhja me tregun e punës.

“Problematika kryesore dhe nëse e ekuivalentojmë me sistemin tonë të vlerësimit, nga nota 1 deri në 10, Banka Botërore në fakt, cilësinë e arsimit të universiteteve shqiptare, e ka vlerësuar me notën 1. Nga ky raport, del qartë që universiteti në vendin tonë nuk e adreson problematikën që ka shoqëria. Ka një mungesë të theksuar të lidhjes së universitetit me tregun e punës. Ndërkohë që nuk adreson sfidat kryesore me të cilat në fakt ka nevojë të diplomojë universiteti shqiptar. Dhe nëse në vendet e Europës janë dyfish numrat e diplomave që lidhen me degët e inxhinierisë, informatikës, shkencave ekzakte, në vendin tonë në krahasim me totalin të cilën është zgjeruar numri i diplomave, zënë një numër shumë të vogël, ose 15% të totalit që diplomon vendi jonë”, thotë Qiraxhi.

Një problem të madh janë universitetet e rretheve, ku vihet në pikëpyetje dhe ligjshmëria e tyre si universitete.

“Ne kemi nevojë të thellë të rishikojmë pozitën e universiteteve, kryesisht universiteteve të rretheve që kanë një kosto të lartë të formimit të një studenti, janë në kufi të ligjshmërisë për të qenë universitet për shkak të numrit të ulët të studentëve dhe ka një deformim të mënyrës sesi ata diplomohen, ku kryesisht lidhet me tregun e jashtëm të punës, të infermierisë, mamisë, fizioterapisë, të cilat në fakt nuk adresojnë problematikën e vendit. Ajo që tregon Banka Botërore, është se sfidat e një vendi, korrektohen duke investuar tek sistemi universitar, ose sistemi arsimor”, shton Qiraxhi.

Ekspertët e Bankës Botërore sugjerojnë se vetëm kthimi i arsimit të lartë në prioritet do të mund ta ndryshonte realitetin në vend, duke argumentuar se universiteti dhe sipërmarrja duhet të jenë si një trup i vetëm.

Klan News