Kompanitë, konsumatorët dhe fermerët në mbarë Amerikën e Veriut presin që Presidenti amerikan Donald Trump të vendosë tarifa prej 25% mbi importet kanadeze dhe meksikane, lëvizje që mund të nxjerrë nga shinat tregtinë vjetore prej afro 1.6 trilion Dollarësh.

Trump ka caktuar të shtunën si afat për Kanadanë dhe Meksikën që të ndërmarrin masa më të forta për të ndaluar fluksin e emigrantëve të paligjshëm dhe fentanilit në SHBA. Presidenti tha gjithashtu të enjten se po konsideron një tarifë shtesë prej 10% për importet kineze për të ndëshkuar Pekinin.

Grupet e industrisë po kërkojnë me ngulm ndonjë informacion se si Trumpi planifikon t’i zbatojë tarifat, nëse do të vendosë tarifat prej 25% me efekt të menjëhershëm apo do të lërë hapësirë për negociata. Në rast të vendosjes së menjëhershme, do të duhen të paktën dy deri në tre javë njoftim publik përpara se Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së të fillojë mbledhjen e tarifave.

Është e paqartë nëse Trump do të vendosë tarifa ndaj karburantit. Nafta e papërpunuar është importi kryesor i SHBA nga Kanadaja dhe ndër pesë mallrat e para nga Meksika.

“Kanadaja do të përgjigjet menjëherë dhe me forcë nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me një kërcënim për të vendosur tarifa”, tha Kryeministri Justin Trudeau të premten, duke paralajmëruar kanadezët se mund të përballen me kohë të vështira.

Edhe Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha të premten se do të presë me gjakftohtësi një vendim nga Shtetet e Bashkuara.

Meksika dhe Shtetet e Bashkuara janë partnerët kryesorë tregtarë. Ekonomitë e Amerikës së Veriut janë ndërthurur gjithnjë e më shumë që nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Amerikës së Veriut (NAFTA) në fillim të viteve 1990.

Klan News