Bashkimi Europian është i fokusuar në negociata më të ngushta tregtare me Shtetet e Bashkuara, sa u përket mallrave industriale, duke përfshirë industrinë e automobilave, ka thënë Komisionarja evropiane për Tregti, Cecilia Malmstrom, një ditë pas negociatave me Përfaqësuesin amerikan për Tregti, Robert Lighthizer.

“Ka mungesë të besimit në këtë moment”, në mes të BE-së dhe SHBA-së,

ka thënë Malmstrom

.

“Për këtë arsye ne kemi propozuar që në vend të rritjes së tensioneve në mes nesh, në vend të këtyre tarifave dhe në vend të deklaratave se Evropa përbën kërcënim të sigurisë për ekonominë amerikane, të rindërtojmë atë besim”.

Malmstrom ka thënë se në Evropë nuk ka mbështetje për një marrëveshje të plotë tregtare me Shtetet e Bashkuara, e cila do të mbulonte fushën e bujqësisë.

Ajo ka thënë se pret që në të ardhmen e afërt të ketë mandat për të negociuar një marrëveshje për mallrat industriale.

Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni janë duke u përgatitur për të diskutuar ndonjë pakt eventual tregtar, teksa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump synon të rinegociojë një numër marrëveshjesh tregtare me shtete të ndryshme, duke përfshirë Kinën, në kuadër të agjendës së tij ekonomike “Amerika e Para”.

Shtete anëtare të bllokut evropian duhet të miratojnë dy mandate për të filluar zyrtarisht negociatat.

Gjermania ka qenë e gatshme për të nisur negociatat sa më shpejt, derisa Franca ka qenë më hezituese.

Megjithatë, Malmstrom ka thënë të enjten se BE-ja do të jetë e gatshme për të nisur bisedimet me SHBA-në brenda javëve. Ajo ka shtuar se zyrtarët evropianë do të dëshironin që veturat dhe pjesët e tyre të përfshiheshin në negociata, mirëpo nuk ka thënë detaje tjera se çfarë mund të përfshihet në këtë proces./REL