Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, i pranishëm në Forumin Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, i cili vlerësoi krijimin e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, me synimin e avancimit të reformave dhe sundimin e ligjit.
“Kuvendi krijoi një Komision të Posaçëm me synimin e avancimit të reformave të mirëqeverisjes, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit. Kjo është një mundësi për të fuqizuar përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, duke përfshirë kështu një sërë aktorësh dhe ekspertësh. Në fakt një përpjekje në të gjithë vendin dhe sigurisht që duke patur parasysh rezultatet që janë arritur duhet të vijojmë më tej.”
Ambasadori Gonzato tha se përpjekjet antikorrpsion duhet të përqendrohen në të gjitha kapitujt e negociuar, duke filluar që nga sektorët me rrezikun më të lartë.
“Në Shqipëri presim që puna e qeverisë për strategjinë antikorrupsion të miratohet dhe të zbatohet e plotë në veçanti në sektorët Kadastra, Tatimet, Dogana, Prokurimi Publik, Arsimi dhe Shëndetësia.”
E pranishme në forum, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali vlerësoi rolin ekuilibrues dhe balancues të pushtetit gjyqësor, ndërsa theksoi se tashmë askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia.
“Askush në sallonin e politikës nuk ka imunitet, amnisti, nuk ka bunker ta shpëtojë nga e shkuara dhe përballja me drejtësinë, sa herë ajo është e nevojshme.”
Ndërkohë që kreu i SPAK, Altin Dumani tha se prej krijimit të SPAK asetet e konfiskuara arrijnë në vlerën e 150 milionë Eurove.
“Kemi arritur të sekuestrojmë dhe konfiskojmë vlera të konsiderueshme që mund të shkojnë deri në 150 milionë Euro. Po të shikosh larminë e subjekteve që ne kemi arritur të ngremë akuza apo i kemi në hetim, tregon se ne shikojmë zyrtarë të nivelit të lartë, në rang ish-kryeministri, ish-zv.kryeministri, ministra, deputetë, gjyqtarë, punonjës policie, kryetarë bashkie, ish-kryetarë bashkie.”
Për kreun e Prokurorisë së Posacme, nisja e ndjekjes penale për subjekte të ndryshme pavarësisht profilit të tyre politik apo publik, është tregues i qartë i aftësisë dhe kapaciteteve të këtij institucioni.
Klan News