Bashkimi Evropian, i ka mirëpritur thirrjet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për serbët në Kosovë.
Nëpërmjet zëdhënësit Peter Stano, BE thotë se i ka marrë pozitivisht kërkesat e Vuçiç për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022.
Ndërkohë në konferencën për media, ai konfirmoi takimin e palës kosovare dhe asaj serbe që do të ndodh të martën në nivel kryenegociatorësh.
“E konfirmoj takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh që do të mbahet nesër në Bruksel. Axhenda është rruga për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe sigurisht diskutime të tjera për çështjet që ndikojnë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.”
E kryeparlamentari Glauk Konjufca, kërkesat e presidentit serb, thotë se janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Kryeministri Albin Kurti deri më tani nuk i ka komentuar kërkesat e presidentit Vuçiç. Ndër to është edhe lejimi i transaksioneve në valutën Dinar.
Tv Klan