Pasditen e 28 Nëntorit, ashtu siç është edhe tradita, presidenti organizoi ceremoninë shtetërore të pritjes me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ku morën pjesë krerët më të lartë shtetit shqiptar, të Kosovës, diplomatët e huaj në vendin tonë.
Presidenti Begaj në fjalën e mbajtur adresoi dhe një mesazh për klasën politike shqiptare.
“Atdhetarët patriotë 1912 vite më parë treguan guxim dhe vizion. Ata lanë pas ndasitë për një qëllim dhe mision të madh: Shqipërinë e pavarur. Sot, më shumë se kurrë, politika duhet të ndjekë shembullin e tyre. Kthejini sytë nga ata që përfaqësoni”, tha Begaj.
Një mesazh të drejtpërdrejtë pati edhe sa i përket zgjedhjeve te ardhshme parlamentare.
“Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë shembull i një faqeje të re, ku interesi i qytetarit dhe shërbimi publik ndaj tij vihet mbi gjithçka tjetër. Kjo është mënyra për të nderuar ata që shpallën pavarësinë dhe për të ndërtuar një Shqipëri që e meriton vendin në Evropë”.
Kreu i shtetit tha se hapja e kapitujve me Bashkimin Evropian është më shumë se një proces teknik, është një test i pjekurisë kombëtare.
Sipas tij ky proces kërkon forcimin e institucioneve, mbështetje të drejtësisë dhe SPAK.
Teksa falenderoi SHBA dhe BE për mbështetjen ndaj Shqipërisë, Begaj tha se Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.
Tv Klan