“Nuk do të gjeni askund dy shtete si Shqipëria dhe Kosova me mbështetje më të madhe ndaj Bashkimit Evropian, ku, pavarësisht bindjes politike të qytetarëve dhe partive politike, orientimi pro Euroatlantik është i pandryshueshëm”.

Kështu u shpreh Presidenti Begaj në takimin me Reporterin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder.

Kreu i Shtetit falënderoi Parlamentin Evropian si mbështetësin dhe avokatin më të madh të Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE, duke garantuar njëkohësisht përkushtimin e plotë të Shqipërisë për përmbushjen në kohë të reformave të kërkuara për avancimin e negociatave.

Në takim u bisedua mbi zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, përgatitjet dhe sfidat që ky proces, siç theksoi Presidenti, “të përmbushë plotësisht standardet e Bashkimit Evropian për zgjedhje të drejta, të lira e të ndershme”.

“Më shumë se rezultati, për ne ka rëndësi procesi, standardet e zgjedhjeve demokratike. Këto zgjedhje vijnë me një risi, siç është ajo e votës së Diasporës, që duhet përshëndetur. Unë i jam drejtuar klasës politike t’i japë fund fenomeneve shqetësuese të zgjedhjeve të mëparshme, siç janë përdorimi i fondeve publike për arsye elektorale, mungesa e besimit mes partive politike, si dhe t’i jepet fund zvarritjes në nxjerrjen e rezultatit, që të mund të kemi një proces të  gjithëpranuar dhe dita e nxjerrjes së rezultatit të jetë një ditë e bukur për Shqipërinë, ku fituesi të festojë me modesti dhe humbësi të respektojë rezultatin”, nënvizoi gjatë bisedës Kreu i Shtetit.

Presidenti shprehu besimin se monitorimi i procesit nga Parlamenti Evropian dhe vëzhguesit e tjerë kombëtarë e ndërkombëtare do të ndikonin në arritjen e standardeve të kërkuara./tvklan.al