Sot ka startuar viti i ri akademik 2024-2025, ku rreth 20 mijë studentë u janë drejtuar për herë të parë auditoreve në universitete.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka uruar këtë vit akademik nga Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), i cili është më i vjetri në Shqipëri dhe i pari në të gjitha rankimet kombëtare e ndërkombëtare.

Presidenti Begaj këshilloi studentët të përkushtohen në studime për të dhënë modelin e arritjes së suksesit përmes mundit që shpërblehet dhe jo përmes rrugës së shkurtër të arritjeve pa meritë: “Shfrytëzojeni këtë mundësi dhe kohë! Studioni e mësoni shumë! Mësoni edhe nga ata, rinia e të cilëve ofronte shumë pak mundësi. Kurrë mos u dorëzoni! Eksploroni gjithçka në fushën që keni zgjedhur dhe bëni miq të mirë!”

Presidenti i Republikës inkurajoi studentët të ndjekin shembuj motivues. Ndërsa jemi në “Tetorin e librit”, Presidenti Begaj rekomandoi “Make Your Bed” të Admiralit William H. McRaven, një libër që të frymëzon me këshillat e tij, filozofia e të cilit është: Nëse nuk arrijmë të bëjmë siç duhet gjërat e vogla, ne nuk do të mundim të kryejmë asnjëherë siç duhet gjërat e mëdha. Gjërat e vogla mund t’ju ndryshojnë jetën dhe ndoshta botën”.

Edhe kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në Facebook-un e tij një video nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN), duke iu uruar të gjithë studentëve sa më shumë suksese. “Suksese studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit dhe atyre që tashmë e kanë nisur këtë rrugëtim, si dhe trupës së pedagogëve në këtë vit të ri akademik”, shkruan kreu i qeverisë.

Nisjen e vitit të ri akademik e uroi edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu. Nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Manastirliu ka bërë urimin së bashkë me studentë të rinj, të cilët po hyjnë në këtë fazë të rëndësishme të jetës së tyre akademike.

/tvklan.al