Presidenti Bajram Begaj është njohur me nismat e ndërmarra nga drejtuesit vendorë banorët dhe sipërmarrësit privatë, gjatë vizitës në bashkinë e Roskovecit.

Kreu i Shtetit u prit nga Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, me të cilën bisedoi për projektet që i shërbejnë zhvillimit të zonës.

Presidenti përgëzoi modelin e krijimit të shoqërive të përbashkëta i zgjedhur nga banorët e Roskovecit dhe i aplikuar fillimisht nga fermerët dhe artizanët, ndërsa vizitoi edhe një punishte artizanati ku janë të punësuara gra dhe vajza. Po ashtu, Begaj përshëndeti iniciativën e krijimit të shoqërive të përbashkëta, duke e vlerësuar si model edhe për bashkitë e tjera.

Presidenti shprehu mbështetjen e tij realizimit të këtij objektivi me bindjen se shumë shpejt ky bashkim do të arrijë të nxjerrë markën e tij të produkteve.

Disa nga këto produkte u ekspozuan këtë të premte në panairin “Festa e Ullirit” në fshatin Kurjan, ku Begaj vizitoi stendat dhe bisedoi me fermerët e sipërmarrësit pjesëmarrës.

Gjatë kësaj vizite, Kreu i Shtetit zhvilloi edhe një bashkëbisedim me disa të rinj, të cilët i përgëzoi për përfshirjen e tyre në veprimtarinë e fushës së të drejtave dhe parandalimin e dhunës.

Gjithashtu, vëmendje të veçantë në këtë vizitë ishin Begaj pati edhe për të moshuarit që kanë kontribuar në ndërtimin e shembujve të mirë për të rinjtë e kësaj zone nëpërmjet punës së tyre me përkushtim e ndershmëri.

Në përfundim të takimeve, Begaj vizitoi Muzeun Historik në Roskovec të ngritur pak muaj më parë, për të cilin kanë kontribuar dhe banorët në promovimin e traditës dhe vlerave të kësaj zone.

Klan News