Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar kërkesën e Fredi Belerit për lirimin me kusht nga burgu.
Kjo ishte seanca e katërt në Gjykatën e Fierit për shqyrtimin e kësaj kërkese nga ana e Fredi Belerit. Me këtë vendim, Beleri fiton lirinë 1 muaj e gjysëm përpara nga koha e mbetur për vuajtjen e dënimit.
Në seancën e sotme, Beleri u përfaqësua nga avokati Geni Gjyzari. Ndërkohë, ishte gjyqtari i çështjes, Alfred Konomi, ai i cili shqyrtoi provat dhe argumentet e paraqitura nga të dyja palët.
Pas dhënies së vendimit, avokati i çështjes Geni Gjyzari ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat.
Avokati Geni Gjyrazi: Respekte për gjykatën, vendosi lirimin para kohe me kusht. Edhe 6 javë i kishin mbetur për të qëndruar në burg. U lirua sot. E shikojmë se ai pronari që ka çelësat e burgut dhe të kujtdo dha leje tani pas zgjedhjeve që të dalë nga burgu.
Fredi Beleri, i cili tashmë mban mandatin e eurodeputetit, u dënua me vendim të formës së prerë me 2 vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhjet e 14 Majit 2023. /tvklan.al