Sirenat e sulmit ajror dëgjohen pothuajse çdo ditë në qytetin rus të Belgorodit.
Këto sirena i paralajmërojnë qytetarët të mbrohen dhe u kujton banorëve se lufta në shkallë të gjerë në Ukrainën fqinje është një realitet edhe për ta. Krahasuar me shkatërrimin në pjesën më të madhe të Ukrainës, territori i Rusisë ka qenë kryesisht i padëmtuar nga sulmet e Kiveit. Belgorod, 40 kilometra në veri të kufirit, bën përjashtim pasi qyteti shërben një kujtesë se jo çdo civil mund të mbrohet nga lufta.
Vladimir Seleznyov, një pensionist që ishte dëshmitar i një sulmi me raketa në rrugën Plekhanov më 15 Shkurt, në të cilin u vranë shtatë persona shprehet se ishte e vështirë të mësohej me rrezikun.
“Sigurisht që situata është e vështirë, por ne jetojmë afër kufirit. Do të ishte e vështirë të thuash se jemi mësuar me këtë, thjesht e perceptojmë pak më ndryshe. Kuptohet që, natyrisht, do të fitojmë, do t’ia dalim, por njerëzit janë të shqetësuar’, tha Seleznyov.
Të shqetësuar janë edhe banorë të tjerë.
“Kjo është tashmë një situatë e zakonshme, sepse ky qytet është afër kufirit me Ukrainën dhe ne jemi mësuar tashmë me atmosferën e tensionuar që ndodhet këtu. Kështu që nuk ka më panik apo shqetësime. Ne e dimë që trupat tona janë duke na mbrojtur, ne kemi sisteme të mbrojtjes ajrore që funksionojnë, kështu që nuk është asgjë e pazakontë”, tha Stanislav.
“Nuk më pëlqen shumë situata këtu, por ne tashmë jemi mësuar me të dhe përpiqemi të qëndrojmë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Alexander Shcherbinin, banor.
Në qytetin prej 300,000 banorësh, i cili ndodhet në vijën e parë të frontit të Rusisë, dhjetëra civilë janë vrarë në sulmet me dron dhe raketa nga Ukraina që nga Shkurti i vitit 2022.
Kievi mohon të ketë shënjestruar civilët ashtu siç bën Moska, pavarësisht se Rusia ka lëshuar drone dhe raketa kundër Ukrainës që kanë vrarë mijëra civilë dhe kanë shkaktuar dëme në vlerë prej qindra miliarda dollarësh.
Në bilancin më tragjik që nga Lufta e Dytë Botërore, 25 humbën jetën dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve me raketa në Belgorod më 30 Dhjetor të vitit të kaluar.
Pavarësisht se qyteti ka parë sulme të shumta, Presidenti Vladimir Putin megjithatë mbetet një figurë shumë popullore në Belgorod ashtu siç edhe në të gjithë Rusinë, duke nënvizuar faktin se si lufta ka nxitur më shumë mbështetjen për të.
Kreu i Kremlinit e quan një “operacion special ushtarak” dhe e konsideron atë si pjesë të një beteje të gjatë me një Perëndim dekadent dhe në rënie që poshtëroi Rusinë pas rënies së Murit të Berlinit në 1989.
Për banorët e Belgorodit, këto shenja konflikti janë edhe më të dukshme. Ushtarët ecin nëpër rrugët e qytetit dhe blloqet e çimentos janë vendosur në stacionet e autobusëve për të mbrojtur njerëzit nga shpërthimet e mundshme.
Autobusët ndalojnë së lëvizuri kur dëgjohen sirenat e sulmeve ajrore, duke i detyruar qytetarët të zbresin dhe të ecin. Shkollat fillore kanë kaluar tek mësimet online vetëm ndërsa shkollat e mesme po punojnë në një model hibrid mes mësimit online dhe atij në klasë, i ngjashëm me atë që shumë institucione ukrainase arsimore funksionojnë.
Grupet civile vullnetare në Belgorod po mbështesin ushtarët, një fenomen që është bërë i zakonshëm në Rusi dhe Ukrainë. Galina, e cila mbledh mjete për gërmimin e llogoreve dhe i dërgon ato në ushtri, thotë se me përpjekjet se saj ajo po ndihmon në dhënien fund të konfliktit.
“Nuk ka opsione. Për momentin nuk ka asnjë person që mund të kundërshtojë presidentin tonë. Ky është i vetmi person që ka forcuar të gjitha pozitat e vendit tonë që nga ardhja e tij. në pushtet: financiarisht, ekonomikisht, politikisht. Besoj se punën që ai ka nisur tani për një operacion të posaçëm ushtarak, duhet ta përfundojë”, tha sinkron Galina, banore.
Duke i bërë jehonë fjalëve të përdorura nga Kremlini për të përshkruar udhëheqjen në Kiev, ajo flet për nevojën për të “denazifikuar” Ukrainën dhe për t’i dhënë fund “fashizmit” atje. E pyetur se pse Rusia po Lufton ndaj Ukrainës ajo përgjigjet kështu.
“Për të përfunduar fashizmin. Nuk ka alternativa të tjera. Sepse kundërshtimi ndaj gjithçkaje ruse bazohet në neo-nazizëm, në nacionalizëm. E gjithë kjo u rregullua dhe u zhvillua për vite, dhe kjo është ajo që njerëzit normal dëshirojnë, ata nuk duan luftë me Rusinë, duan miqësi, ashtu si dikur“, tha ajo.
Për shkak të sigurisë së dobët mijëra njerëz janë larguar nga rajoni për t’i shpëtuar rrezikut.
“Unë mendoj se më shumë se gjysma e banorëve janë zhdukur. Të gjithë ata që kanë fëmijë, të gjithë janë zhdukur. Vetëm të moshuarit kanë mbetur këtu”, tha Valentina, banore.
Por disa qytetarë janë mësuar me rrezikun e luftës.
“Të them të drejtën, disa qytetarë tashmë janë mësuar me këtë. Shumë njerëz që u frikësuan tashmë janë larguar nga qyteti, shumë njerëz janë larguar edhe nga rajoni. Të gjithë ata që qëndruan… natyrisht që autoritetet dhe të gjithë ne po përpiqemi të dëgjojmë paralajmërimet e raketave, në të njëjtën kohë ne duhet të ndërmarrim edhe një lloj veprimi, të fshihemi në strehimore dhe bodrume. Ne jetojmë në këtë mënyrë, por sinqerisht, nuk ka më frikë“, tha Stanislav Panov, ligjvënës.
Përveç Belgorodit, është një tjetër qytet rus i cili po ndjen gjithashtu efektet e luftës në Ukrainë.
Qyteti i Shebekinos, i vendosur rreth 7 km nga kufiri në rajonin e Belgorodit, u bombardua me raketa dhe dron në Maj dhe Qershor të vitit të kaluar. Si pasojë e sulmeve ajrore rrugët dhe ndërtesat që u goditën nga Kievi u dëmtuan.
Në atë kohë, guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov shoqëroi rreth 600 fëmijë nga rrethet Shebekino dhe Graivoron për në qytetet Yaroslavl dhe Kaluga, larg kufirit ukrainas si masë paraprake sigurie.
Pensionistja Valentina e cila gjithashtu u largua përkohësisht nga qyteti verën e kaluar, e bindur për ta bërë këtë nga vajza e saj, përpara se përfundimisht të kthehej sërish në qytetin e saj thotë se lutet që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më parë.
“Unë mendoj se e gjithë kjo duhet të përfundojë së shpejti. Nuk e di, por lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është mendimi im. Sigurisht që të gjithë duan të kthehen në shtëpi“, shprehet ajo.
Klan News