Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Letërnjoftimet e përdorura 20 vjet më parë, tani do të zëvendësohen nga një dokument i ri identiteti. Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, ka shpallur sot konkursin kombëtar për dizenjimin e kartës së identitetit.

Ben Blushi: “Dokumenti i identitetit do fillojë të lëshohet nga shërbimi i gjendjes civile, e sistemi i gjendjes civile në Shqipëri mbetet relativisht i kompromentuar dhe i pa plotë edhe për shkak të mungesës së kredibilitetit së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë, lëvizja e lirë e shqiptarëve mbetet një proces, i pa plotësuar dhe jashtë standardeve”.

Sipas Blushit, ky proces nuk merr përsipër të zgjidhë problemin e listave të zgjedhësve, por mund të ndikojë pozitivisht në të. Karta e re e identitetit do të përbëhet nga elemente të larta sigurie. Në të do të vendosen shenjat e gishtërinjve të poseduesit, fotoja, gjeneralitetet, si dhe holograma 2 dhe 3 dimensionale, të cilat do të garantojnë sigurinë më të lartë kundër falsifikimit.

Me këtë dokument do të pajisen të gjithë shtetasit mbi moshën 16 vjeç dhe shpërndarja e tyre do të fillojë vetëm në pranverën e vitit të ardhshëm. Karta e identitetit do të shërbejë, si identifikuesi i vetëm për të gjithë shtetasit të cilët do të mund ta përdorin atë në çdo institucion apo zyrë shërbimi./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka