“Dita D për Serbinë” dhe “punë e kryer: votohet ushtria e Kosovës”. Kështu është parë votimi i ushtrisë në Serbi.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka reaguar e para. Ajo ka folur me ton tjetër duke tentuar ta paraqet Serbinë si faktor stabiliteti. Duke firmosur një marrëveshje me forumin botëror ekonomik ajo ka theksuar se është e vështirë përballja me vendimet e Kosovës pavarësisht se është fokusuar pikërisht tek bashkëpunimi rajonal.
Ana Brnabiç, Kryeministre e Serbisë:
Ne do të kemi porosi tjera, porosi të së ardhmes, bashkëpunimit, porosi për zhvillim dhe për diçka që sjell të ardhme. Ne nuk duhet të flasim për pushkë dhe ushtri, por për shkolla dhe dukim, të mos flasim për armiqësi, por për bashkëpunim.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, është shfaqur po ashtu në takim për ekonominë. Mysafirët ndërkombëtarë i ka informuar se Kosova është duke cënuar paqen, por ka kërkuar njëkohësisht krijimin e një tregu të përbashkët. Enigmë ka ngelur vizita në pritje e Vuçic në bazat ushtarake, përfshirë edhe ato në jug të Serbisë, në afërsi me kufirin me Kosovën.
Ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, ka thënë se e gjithë struktura e sigurisë ka diskutuar një natë me presidentin në cilësinë e komandantit të përgjithshëm. Nuk është përmendur fjala luftë, por ushtria e Serbisë është e gatshme për urdhërat e komandantit.
Mesazhet kanë ardhur edhe nga veriu i Kosovës që në Serbi i është dhënë rëndësi: për ta ky vendim nuk vlen dhe nuk ka ushtri të Kosovës në veri. Serbët i kanë bërë përgjigje flamurëve amerikan duke vendosur gjithandej flamuj serb.
Këshilltari i presidentit Vuçiç ka theksuar se me aktet e Kosovës ka vdekur e drejta ndërkombëtare.
Tv Klan