Ka nisur që prej orës 12:30 të kësaj të Shtune seanca për rivlerësim të masës ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe personave të tjerë të akuzuar për abuzim me fondet e BE-së.
Ishte parashikuar që ata të dilnin dje, por pasi mbrojtja kërkoi kohë që të njihet me aktet e dosjes, seanca u shty për sot.
“Do t’u bëhet komunikimi i masës së sigurisë, caktuar në mungesë pas hetimeve të kryera nga SPAK sa i takon dyshimeve se këta personave kanë abuzuar me fondet e SASPAC ku ish-ministri Beqaj ka qenë drejtues i këtij fondi”, raportoi fillimisht gazetari Merin Maçi pranë ambienteve të Gjykatës së Posaçme.
Teksa seanca në GJKKO vijon, gazetari bën me dije se Beqaj ka mohuar të gjitha akuzat. Ish-ministri ka kërkuar edhe lirimin e tij me garanci pasurore 5 milionë lekë të reja.
“Prej nisjes së seancës në orën 12:30, ish-ministri dhe dy bashkëpunëtorët kanë qenë kundërshtues ndaj akuzave sa i takon shpërdorimit të fondeve. Ai ka shtruar një kërkesë për masë më të butë sigurie dhe duke vënë në dispozicion 5 milionë lekë për t’u liruar me garanci. 6 nga 7 të akuzuarit kanë marrë pjesë në seancën e sotme. Mungon vetëm njëri, për të cilin SPAK ka caktuar arrest në shtëpi”, bën me dije gazetari Merin Maçi.
Beqaj u arrestua te enjten së bashku me dy bashkëpunëtorë pasi akuzohen për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që ka qenë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Çështja për abuzimet me fondet e BE-së u zbulua nga hetimi i koncesionit të Check-up.
SPAK njofton zyrtarisht së ka gjetur prova se Ilir Beqaj, në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra Euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish-ministri përmes Restorant “Gzona” në Tiranë.
SPAK thotë se restoranti është në pronësi të ish-ministrit. Nga hetimi rezultojnë 8 procedura tenderimit të dyshimta./tvklan.al