Për Sali Berishën, bashkimi i demokratëve rreth flamurit në 11 Qershor ishte një ditë historike që duhet të pasohet nga një tjetër objektiv madhor, fitorja e zgjedhjeve të 2025-ës.
“Nuk ka më justifikime, nuk ka më përçarje, vulë të vjedhur, konflikte mes nesh, fitoren jua kemi borxh të gjithë demokratëve, 700 mijë shqiptarëve që nuk votuan narko-shtetin.”
Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar, lideri historik i demokratëve apeloi për bashkim në diversitet, duke listuar edhe detyrat që dalin përpara çdo demokrati.
“Unitet, qeveri teknike, reformë zgjedhore, me rikthimin e paketës së 5 Qershorit të vitit 2020, votimi i emigracionit dhe diasporës, zgjedhje të lira, ky është objektivi jonë i tretë, të cilin duhet ta përmbushim me çdo çmim.”
Nga të vetët kërkoi që të pranojnë mendimin ndryshe të kundërshtarit në emër të përmbushjes së një misioni, largimin e Edi Ramës nga pushteti.
“Cilido që është opozitar, na pëlqen ne apo jo, ne jemi të detyruar që të bashkohemi.”
Kreun e qeverisë e akuzoi jo vetëm për lidhje me krimin e bandat, por edhe për manipulim të Censit, të dhënat e të cilit u publikuan të premten.
“Censi i Ramës u falsifikua për 8 muaj për të fshehur genocidin më të madh të kryer ndaj kombit shqiptar në histori nga pashiqi i Tiranës, Ed Ramës.”
Në betejë me të keqen, Berisha adresoi një thirrje për shqiptarët.
“Le të jetë 11 Korriku dita e realizimit të një realiteti në të cilin shqiptarët kudo që janë të shohin uraganin e fitores së tyre.”
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi edhe një rezolutë përmes së cilës synon bashkimin e opozitës nën flamurin e vlerave demokratike, duke i bërë thirrje strukturave drejtuese të kësaj force politike që të lënë mënjanë ndasitë, me qëllim fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Tv Klan