Nga dritarja e banesës së tij, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur se ish-deputeti i Parlamentit Evropian, Elmar Brok, ka zgjedhur të ndajë ditëlindjen bashkë me to dhe këtë e quan si një ogur shprese, si një mbështetje e fuqishme e idealeve evropiane.
Sali Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të zjarrta qëndrestarë dhe qëndrestare, guximtarë dhe guximtare, misionarë të vërtetë të lirisë, dinjitetit, shpresës dhe fitores. Të dashur miq, më lejoni që në emër tuaj dhe të PD të shpreh mirënjohjen më të pakufishme mikut të shquar të kombit shqiptar, personalitetit të njohur të partisë së Helmut Kohlit, ish-drejtuesit prej rreth 20 vitesh të Komisionit të Politikës së Jashtme, Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut në Parlamentin Europian, zotit Elmar Brok. Të dashur miq, zoti Brok na ka nderuar sot në një ditë të veçantë të jetës së tij. Ka zgjedhur të ndajë ditëlindjen së bashku me ne si një ogur shprese, si një mbështetje e fuqishme e idealeve tona evropiane, e përpjekjeve tona për integrimin e Shqipërisë në Europë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se garanton Elmar Brok se ideali i integrimit evropian i Shqipërisë, mbetet vendosmëria e tyre kryesore.
Sali Berisha: Miqtë e mi, ndaj dhe unë sot këtu para jush dua të garantoj mikun tonë të të shquar, Elmar Brok se idealet tona të integrimit të Shqipërisë në Europë, se vullneti ynë në rrugën e integrimit, se e ardhmja jonë më e shkëlqyer në BE janë dhe mbetet zotimi, përkushtimi, vendosmëria jonë kryesore. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, integrimi në BE është interesi më madhor kombëtar. Është e ardhmja më e shkëlqyer e kombit. Ndaj dhe e gjithë beteja jonë është betejë për vlerat e lirisë. Është betejë për votën e lirë. Për vullnetin e lirë të shqiptarëve. Për idealet e tyre demokratike. Për idealet e tyre evropiane.
/tvklan.al