Të hënën e 6 Janarit, Sali Berisha do të paraqitet në SPAK, ndonëse vendimin e dhënë të premten nga Apeli i GJKKO-së thotë se do e dërgojë në Strasburg pasi e konsideron antikushtetues e politik.

“E kam bërë të qartë, që unë, gjersa është një proces që buron nga parlamenti, do paraqitem sepse parlamenti ka dhënë një autorizim për arrestimin tim. Avokatët ia përcjellin Strasburgut edhe këtë vendim.”

Paralajmëron se nuk do të ndalë denoncimet ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të SPAK-ut, të cilët i akuzon se po mbrojnë aferat korruptive të Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.

“Berisha po sulmon SPAK e gjykatën, Irenën me 5 mbiemra dhe Dumanin me 4 banesa. Do i denoncoj gjithnjë e më shumë. Jo do ua përmend, por do ua nxjerr për hundësh ato. Se janë vjedhje 100 % “

Kur pyetet nëse e pengon masa “detyrim paraqitje” në gjykatë dy herë në muaj, për analogji sjell rastin e Donald Trampit, i cili pritet të dënohet më 10 Janar, përpara se të betohet si President i ri i Shteteve të Bashkuara.

“A e pengon Donald Trump masa e paraqitjes së tij në 5 gjykata çdo javë, përkundrazi i shtoi vota dhe i afroi fitoren. Kjo do jetë dhe për Sali Berishën.”

Vendosjen e pagesës prej 4.2 Euro vajtje-ardhje për 20 kilometra të rrugës Thumanë-Kashar e cilëson taksë rraciste.

“Është akt urrejtje kombëtare, është diskriminim antikushtetues pasi taksa e tillë e ngjashme nuk ekziston në autostradat e tjera të kategorisë A që shtrihen nga Vlora në Fier, nga Elbasani në Tiranë, etj.”

Ndaj dhe premton autostrada e rrugë pa pagesë pas ardhjes në pushtet të demokratëve.

“Çdo taksë nga Vermoshi në Konispol do të hiqet dhe nuk do ekzistojë për asnjërën nga rrugën, autostradat e ndërtuara në Shqipëri.”

Por kjo nuk është e vetmja masë që tha se do ndërrmarrë.

“Tenderat e shpallur në këtë fundvit, qoftë ai i Porto Romanos, qoftë tre segmentet e rrugës Milot-Fier, në mënyrë absolute nuk do të njihen, por do të bëhen përgjegjës dhe do ndiqen penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në këto tendera në kundërshtim flagrant me ligjin elektoral, i cili ndalon qeverinë të bëjë prokurime dhe tendera 4 muaj para zgjedhjeve.”

Sërish bëri thirrje për protesta, por kësaj radhe mesazhin e adresoi ndaj banorëve të veriut.

“PD u bën thirrje qytetarëve të veriut të organizohen në mosbindje të fuqishme civile për të shembur çdo barrierë, me të cilat Edi Rama kërkon t’u vendosë taksa raciste.”

Jo vetëm në sheshe me qytetarët, por Berisha tha se opozita është e angazhuar maksimalisht për betejën eleketorale, ku krahas takimeve që do të nisë me diasporën, përzgjidhja e ekipit me të cilin do të garojë në 11 Maj do të bëhet sipas statutit përmes procesit të primareve.

Tv Klan