Kryedemokrati Sali Berisha thotë se drejtësia e re ka dështuar plotësisht teksa shton se sipas tij, kjo konfirmohet nga institucionet më të specializuara të fushës. Gjatë një konference për shtyp, kryetari i PD-së shprehet se Shqipëria renditet në vendin e 107-të për korrupsion.

Sali Berisha: Jam para jush për të theksuar se dështimi i plotë i reformës sorosiane në Shqipëri dhe drejtësisë së re konfirmohet tashmë jo vetëm nga qytetarët dhe opozita shqiptare, nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare, por konfirmohet nga institucione think-tanker më të specializuara të fushës. Kështu, World Justice Project, Projekti i Drejtësisë në Botë, vlerëson një seri treguesish të shtetit ligjor dhe të funksionimit të drejtësisë dhe konstaton një rënie dramatike të këtyre treguesve në vitin 2024, krahasuar me vitin 2015. Këtu para jush do paraqes me grafiqe këtë rënie. Kufizimi i pushtetit të qeverisë. Shqipëria nga vendi i 52-të është ngjitur në shkallaren e tuprit në vendin e 106 për dorën e gjatë të ekzekutivit mbi pushtetet e tjera duke kaluar me disa ende Vietnamin dhe disa diktatura të tjera në botë.

Po kështu për korrupsionin, Shqipëria ngjitet nga vendi i 78 në vendin e 107. Natyrisht në një vend ku korrupsionin e udhëheq kreu i narkoshtetit, nuk mund të ndodhë ndryshe. Liria e shprehjes ka një rënie dramatike, nga vendi i 65 është vidhisur në vendin e 92.  Sipas këtij raporti, e drejta e protestës dhe aktivizimit publik ka rënë nga pozicioni i 54 që kishte Shqipëria me rreth 48 vende, pra sot renditet në vendin e 102 për kufizim të të drejtës së protestave dhe lirive politike. Ndryshim dramatik ka pësuar zbatimi i ligjit. Nga vendi i 86 që ndodhej, sot Shqipëria është në vendin e 114. Por, porsa i përket procesit administrativ, World Justice Project gjen se administrata e narkoshtetit shqiptar është njëra prej 16 administratave më të dobëta të planetit. Shqipëria në vitin 2015 renditej në vendin e 89 dhe është ngjitur në përkeqësim në vendin e 128.

Më tej gjatë fjalës së tij, sipas Berishës, drejtësia e re është e munguar, të cilën e ka cilësuar “degë ekzekutivi për narkoshtetin shqiptar”.

Sali Berisha: Shqipëria para reformës renditej në vendin e 62, kurse pas reformës sorosiane renditet në vendin e 106, duke pasur kështu shumë vende para, Vietnami, Banladeshin, Tunizinë, Kenian, Nigerinë, etj. Kurse Kosova renditet në këtë kontekst në vendin e 46. Pra, këto tregues dëshmojnë se drejtësia e re është një drejtësi e munguar për qytetarët shqiptarë. Është një degë ekzekutivi për narkoshtetin shqiptar. Ndaj PD i bën thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Europian, vendeve partnere të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie të kriminalizuar, të kontrolluar në çdo qelizë të saj nga kreu i narkoshtetit Edi Rama dhe regjimi i tij. Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi, në mënyrë që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta themelore e një procesi ligjor të drejtë dhe drejtësia të nxirret nga kthetrat e politikës dhe të shndërrohet në një sistem të varur nga ligji.


/tvklan.al