Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Lideri demokrat Sali Berisha ka porositur të gjithë kandidatët për deputet të koalicionit të djathtë përveç kryetarëve të partive, Fatmir Mediu, Shpëtim Rroqi, Ekrem Spahia e Teodor Laço të regjistrohen si të pavarur në komisionet e votimit. Në këtë mënyrë, Berisha i është përgjigjur me të njëjtën monedhë lojës së Nanos.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Unë shpall, para jush dhe shqiptarëve se që në këtë moment, duke filluar nga unë dhe tek çdo kandidat tjetër, ne jemi kandidatë të koalicionit. Për shkak të ligjit, shpall këtu, përveç kryetarëve të partive, që të gjithë do të jeni kandidatë të pavarur të koalicionit opozitar. Kjo është përgjigja që ne i japim sot, hiles ligjore të atyre të cilët të mbytur përpiqen të kapen me fijen e barit. Asgjë si shpëton ata nga disfata e thellë pothuajse e njëjtë me vitin 92”.

Në takimin me drejtuesit e partive të koalicionit dhe kandidatët për deputet, Berisha e cilësoi platformën e socialistëve premtim dhe mashtrim. Në përfundim të fjalës së tij lideri demokrat Sali Berisha, paralajmëroi fitoren e Berluskonit në Itali dhe rrëzimin e socialistëve më 24 Qershor./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame