Nga rrethi i Shkodrës kryeministri Berisha premtoi dyfishim të investimeve për fshatin duke e cilësuar këtë një detyrim madhor të qeverisë së tij. Këtë deklaratë kreu i ekzekutivit e bërë në komunën e Bërdisë, atë të Bushatit dhe të Velipojës. Ndalesa këto të turit “Shqipëria po ndryshon” ku inauguroi një sërë veprash publike.
Në komunën e Bushatit u inaugurua injektori kryesor i sistemit të vaditjes dhe i kanalizimeve dytësore, një investim ky i Bankës Botërore me një vlerë prej 2 milion eurosh.
Sali Berisha: “Në 3 vjet ne po shkojmë drejt dyfishimit të buxhetit për arsimin, janë ndërtuar 141 shkolla, janë në ndërtim dhe 180 të tjera.
Në rast se në këto 3 vite ne investuam 1.2 miliard dollar, unë ju jap ju fjalën e nderit se 3 vitet që vijnë do të investohen 2,4 miliard dollar për fshatin shqiptar.”
Stacioni i radhës i kryeministrit Berisha që shoqërohej në këtë ditë nga kryeparlamentarja Topalli dhe ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi, ishte inaugurimi i rrugës Beltoj-Malihebaj i Berdisë së madhe, 3.5km e gjatë një investim prej 32 milion lekësh edhe rikonstruksioni i kanalit vaditës në fshatin Beltoi i Berdisë me gjatësi 3.4km dhe një vlerë 34 milion lekë investime të buxhetit të shtetit ishin pjesë e inaugurimeve të kreut të qeverisë. Duke i ftuar banorët e Bushatit të besojnë e kjo qeveri që sipas tij i ka përmbushur të gjithë premtimet, kryeministri Berisha nuk ngurroi të hedhë batuta edhe në adresë të lidershit socialist Edi Rama.
Sali Berisha: “Kryetari i Partisë Socialiste është në ethe të tmerrshme, nuk ka sulfat në këtë botë që të ja ulë temperaturën atij sepse është i sigurt se do i humbasë këto zgjedhje.”
Inaugurimeve të kreut të qeverisë në rrethin e Shkodrës ishin dhe fillimi i punimeve të rrugës në fshatin Trush një investim prej 9 milion lekësh si dhe ai i shkollës 9-vjeçare që kap një vlerë prej 56 milion lekësh. Vizitën e tij kryeministri Berisha përfundoi me inaugurimin e dy urave në hyrje të Velipojës, investim me një vlerë 84 milion lekë./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro
Operator: Klodian Keçi