Avokati: Synojnë t’i djegin mandatin e deputetit

Gjykata e Posaçme nuk mori në shqyrtim këtë të martë sipas planifikimit kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”. Me anë të një njoftimi zyrtar të lëshuar për mediat, Gjykata tha se Berisha kishte refuzuar për të firmosur fletëthirrjen për procesin.

Por edhe pse kishte konstatuar marrjen dijeni nga ana e ish-kryeministrit, gjyqtarja Irena Gjoka e shtyu seancën për në datën 8 mars që të merret vullneti i tij për vijimin e seancës nga avokatët. Për mbrojtësin e ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj, shtyrja ishte e panevojshme.

Qendrimet e avokatëve ndaj gjyqtares Irena Gjoka, u kundërshtuan dhe konsideruan nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, si sulm ndaj gjyqtarëve.

Me anë të një njoftimi zyrtar, KLGJ tha se u kujton  avokatëve që duhet të sillen sipas ligjit dhe Kodit Etik professional përballë një gjyqtari.

Këtë të hënë Gjykata e Posaçme gjithashtu do të merrte në shqyrtim kërkesën e Jamarbër Malltezit për zëvendësim të masës së sigurisë “Arrest shtëpie”.

Gjatë kësaj senace, Prokuroria e Posaçme vuri në dijeni avokatët e Malltezit mbi ecurinë e hetimeve dhe më pas Gjykata me kërkesë të prokurorisë, vendosi që të përfundojë shqyrtimin e kërkesës në datën 8 Mars, në të njëjtën seancë me atë të ish-kryministrit Sali Berisha.

Tv Klan