Qeveria miratoi strategjinë për shkencën, teknologjinë dhe informacionin. Vendim që sikurse tha kryeministri Sali Berisha i jep përgjigjen nevojave jetike të vendit për kërkime shkencore.
Për këtë qëllim do të financohen projektet e ofruara nga ndërmarrjet e vogla e të mesme. Kryeministri tha se po synohet për qëndrim total tek shoqëria e informacionit.
Sali Berisha: “Ngrihet me këtë rast fondi për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin në kuadrin e agjencisë i cili do të financojë projekte të përzgjedhura nga një bord i përbërë nga zyrtar, akademik, por dhe përfaqësues të biznesit.”
Mbledhja e qeverisë u fokusua dhe në nevojën për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël.
Kryeministri kërkoi angazhimin e ministrisë së ekonomisë për hidrocentrale që vë në funksion të plotë edhe sistemet e vaditjes.
Berisha solli në vëmendje projekte të kësaj natyre sikurse ato të miratuara pak ditë më parë në mbledhjen e KRTRSH-së, hidrocentralet, Lura 1, 2 dhe 3.
Sali Berisha: “Ne si qeveri dua të nxisim me stimuj konkret ndërtimin mundësisht të mijëra hidrocentraleve të vogla, se të mesmet dhe të mëdhatë ndërtohen, këto të voglat janë më të mundshme. Duhet të shqyrtohen të gjitha sistemet e vaditjes që ekzistojnë dhe që do ngremë, në mënyrë që të mund të funksionojmë me dy qëllime.”
Bashkë me këto vendimmarrje u sanksionuan dhe disa ndryshime në ligjin për prokurimet publike. Ndryshimet parashikojnë ndërtimin e një strukture të posaçme që do të merret me shqyrtimin e të gjitha ankesave. Kjo vendimmarrje tha kryeministri Berisha do të përmirësojë ndjeshëm sistemin e prokurimeve.
Sali Berisha: “Do të ngrihet një grup i veçantë një lloj komisioni tjetër, i cili do merret vetëm me shqyrtimin e ankesave. Kjo është një kërkesë edhe e raportit të vitit të kaluar të KE-së.”
Kryeministri tha se gradualisht po hidhen bazat për një sistem elektronik për blerjet dhe ankandet.
Qeveria miratoi gjithashtu tarifat e hyrjes në universitete, të cilat nuk pritet të pësojnë ndryshime. Kjo edhe për shkak të një angazhimi të posaçëm të kryeministrit Berisha.
Sali Berisha: “Është përcaktuar dhe numri prej 22 mijë e 134 studentë që hyjnë sivjet në shkollat e larta. Natyrisht siç dihet kryeministri nuk pranon rritje të tarifave dhe për këtë kanë votuar dhe të rinjtë për mua dhe për këtë qeveri, absolutisht asnjë rritje të mos sillet këtu.”
Duke shfrytëzuar vendimmarrjen për një universitet të ri privat, kryetari i qeverisë tha se emërtimet e tyre do duhet të jenë vetëm në shqip./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi