Sali Berisha është i bindur në fitoren e 11 Majit për shkak se sipas tij, kundërshtarët socialistë që ka përballë po i gërryen lufta e brendshme.
“Kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi nuk kanë qenë në tryezën e operacionit siç janë qeveritarët e sotëm. Secili më i damkosur se tjetri. Kemi përballë një kundërshtar në gjirin e të cilit ka shpërthyer lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”, u shpreh Berisha.
Kryebashkiakëve dhe këshilltarëve bashkiakë demokratë të mbledhur pasdite në selinë blu, Berisha iu tha me siguri se Kryeministri ishte i detyruar ta riafronte kryebashkiakun Veliaj për shkak se ky i fundit ka dijeni për shumë afera që mbajnë firmën e Ramës.
“Di një gjë tjetër, që në këtë tokë nuk ka njeri që di më shumë për gjobat e Edi Ramës për ndërtimet sa ç’di Erion Veliaj. Ndaj dhe nga një të persekutuar totalisht, që e shihnin si lebros, tani e marrin në krah dhe shkojnë në Itali dhe vende të tjera me të. Kërcen Rama nga sevdaja i thonë kësaj nga Erion Veliaj”, tha Berisha.
Avantazhi që thotë se ju jep lufta e brendshme e socialistëve, kryedemokrati kërkon ta blindojë me mbështetjen e votës së emigrantëve duke i garantuar rikthimin e demokratëve në pushtet. Ndaj kërkon angazhim maksimal për t’i përfshirë në procesin e votimit në 11 Maj shqiptarët e diasporës nën shembullin e Donald Trump.
‘Vetëm me angazhimin e secilit prej jush, e çdo drejtuesi, e çdo deputeti, e çdo këshilltari, e çdo demokrati dhe demokrateje, ne mund të arrijmë ta shndërrojmë votën e emigracionit dhe diasporës në Levën e Arkimedit për fitoren e opozitës”, u shpreh krydemokrati.
Berisha përsëriti premtimet ekonomike për rritjen e pensioneve, pagave dhe uljen e çmimit të energjisë elektrike.
Tv Klan