Regjistrimi i Beratit në listën e trashëgimive botërore të mbrojtura nga UNESCO, është zyrtarizuar paraditen e së martës gjatë një ceremonie të zhvilluar me pjesëmarrjen e kryeministrit Berisha, Ministrit të Kulturës Ylli Pango, Zv/Drejtoreshës së UNESCO-s si dhe shumë përfaqësuesve të botës së artit e biznesit.

Gjatë një takimi me banorët, kreu i qeverisë e cilësojë këtë ngjarje si një moment historik jo vetëm për qytetin 2400-vjeçar, por edhe për të gjithë shqiptarët.

Sali Berisha: “Sot e vendosim në kurorën e diamanteve të trashëgimisë kulturore botërore. Faleminderit UNESCO!, Faleminderit ju qytetarëve të Beratit me të cilët e kam ndjerë dhe e ndjej veten krenarë kudo që jam, kudo që shkoj”.

Më tej kreu i ekzekutivit premtoj se zhvillimi i qendrave të tilla historike do të shoqërohet dhe me investime të mëdha në rrjetin rrugor të këtyre rajoneve.

Sali Berisha: “Qeveria ime do të shumëfishojë fondet dhe financimet për këtë qytet. Ju kërkoj ju të bashkëpunoni me studiot më të mira të vendit dhe të huaja në mënyrë që qytetin ta zhvillojmë në harmoni të plotë. Unë do t’i siguroj qytetarët e Beratit se boshti i jugut do të bëhet realitet”.

Nga ana e tij Ministri i Kulturës Ylli Pango, u shpreh se së shpejti do të jetë gati dhe plani rregullues i qytetit të Beratit.

Ylli Pango: “Në Mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit përpara disa muajsh është aprovuar plani i përgjithshëm rregullues i qytetit të Beratit i cili është një instrument i fuqishëm kontrolli mbi zhvillimet e sotshme dhe të ardhme të qytetit”.

Zv/Drejtoresha e UNESCO-s  Francoise Riviere (Fransua Rivier), tha se me pasuritë e saj Shqipëria tashmë është kthyer në një gurë të çmuar për pasuritë botërore. Më herët kryeministri Berisha, ka parë nga afër galerinë e qytetit me punimet e piktorëve beratas si dhe ka vizituar muzeun etnografik të zonës./tvklan.al