Zona turistike e Golemit, një nga më të frekuentuarat nga turistët vendas e të huaj po furnizohet pa ndërprerje me ujë të pijshëm dhe energji elektrike.
Vetë kryeministri Sali Berisha ka verifikuar kushtet në pjesën e plazhit, ndërsa ka inauguruar në mënyrë simbolike rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm që u shërben mbi 30 mijë banorëve që nga Kovaleshenca e deri në hyrje të qytetit të Kavajës.
Sali Berisha: “Gëzuar!”
Furnizimi me ujë në këtë zonë u mundësua nga një investim prej 2.4 milion eurosh nga buxheti i shtetit.
Kryeministri Berisha ka theksuar se në mbarë vendin vetëm këtë vit do të investohen mese 80 milion euro për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm.
Sali Berisha: “Sot inaugurojmë lidhjen me të gjithë rrjetin e Golemit dhe të plazhit duke bërë të mundur kështu furnizimin e pandërprerë me ujë të kësaj zone. Çdo vit ne do të rrisim investimet gjersa në një kohë sa më të shpejtë të mundshme të bëjmë që shqiptarët kudo që ndodhen në territorin e këtij vendi të kenë ujë 24 orë dhe të cilësive më të mira”.
Në Golem kreu i ekzekutivit ka inauguruar dhe nënstacionin elektrik, një investim prej rreth 2 milion eurosh i qeverisë.
Sali Berisha: “Të gjitha qeveritë e mëparshme i kishin premtuar kësaj zone furnizim me energji dhe ujë po asnjëra s’ia realizoi përveç kësaj qeverie. Këtu inauguroj nënstacionin, i cili rrit kapacitetin e krahasuar me ekzistuesin gjashtë herë. Ne po ndryshojmë Shqipërinë”./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro