Kryeministri Sali Berisha, deklaroi në Kamzë se brenda 2 muajve do të miratohet 100% të gjitha dosjeve për legalizim.
Kryetari i qeverise tha se ky është një projektet më madhore të qeverisë që do të shoqërohet shumë shpejt dhe me një tjetër vendimmarrje të rëndësishme atë të futjes në përdorim në këtë proces, të letrave me vlere.
Sali Berisha: “Kam kënaqësinë e madhe se 70% e të gjitha dosjeve janë miratuar në qeveri. Ju siguroj se brenda 2 muajve që vijnë, 100%, çdo dosje, do të jetë e miratuar në qeveri dhe ju garantoj se parlamenti, 2-3 javët e para të punës së tij, do të miratojë ligjin për përdorimin e letrave me vlerë, që ju të paguani sipas vendimeve banesat tuaja në përqindjen e përcaktuar dhe premtuar nga qeveria”.
Deklaratat kryeministri i bëri gjatë ceremonisë që shënoi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Instituti Bujqësor-Bulçesh.
Behet fjalë për një segment rrugor të gjatë 2.6 kilometrash me vlerë 176 milionë leke, i cili do të lidh bashkinë e Kamzës me atë të Tiranës dhe komunën e Paskuqanit.
Sali Berisha: “Qeveria ime do të asfaltojë dhe sistemojë çdo rrugë dhe rrugicë të qytetit tuaj”.
Edhe në Kamëz kryeministri solli në vëmendje fitoren e demokrateve në komunën e Ballagat.
Për Berishën rezultati ishte përgjigjja më e mirë ndajë asaj që ai e cilësoi politike e mashtrimit e përfaqësuar nga Edi Rama.
Sali Berisha: “Është edhe një flakje e doktrinës së mashtrimeve, shpifjeve e trillimeve, me të cilën ish-kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, u paraqit para shqiptarëve për vite të tëra. Shprehem këtu për ish-kryetarin, jo se atij ju ka ndërprerë mandati nga statuti i tij, se çështjet e statutit të partisë së tij nuk më interesojnë mua, por e vërteta është se me leksionin e madh që i dhanë shqiptarët më 28 qershor, ai mund të rrijë të shpifë, të trillojë, të mashtrojë, por çdo ditë numri i shqiptarëve që do t’i besojnë atij do të pakësohet, deri sa ta lenë vetëm me shalsat e tij”.
Kryetari i qeverise garantoi se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e ndryshimit të madh për vendin.
Përpjekjet qeveritare do të orientohen drejt punësimi shkollimi cilësor infrastruktura moderne duke synuar standardet më të mira europiane./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi