Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ka deklaruar fillimin e fazës së dytë të fushatës për zgjedhjet lokale. Ai iu ka bërë thirrje të gjitha strukturave të PD të organizohen në mënyrë perfekte për të shmangur çdo lloj manipulimi.
Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Kësaj here me këtë betejë, ne duhet t’ju japim një përgjigje përfundimtare. Shqiptarët duhet të jenë zotër të vullnetit të tyre. Asgjë s’do mund të manipulojë vendin tonë. Njerëzve të qytetëruar askush s’mund t’u manipulojë. Ky është misioni i Partisë Demokratike”.
Berisha ka deklaruar edhe njëherë se PD do të bëjë regjistrimin e popullsisë, gjë që sipas tij nuk po e bëjnë dot organet përkatëse, pasi njerëzit nuk duan të regjistrohen.
Sali Berisha, Kryetar i PD:- “E keni vene re ju, që atyre s’po ju regjistrohen zgjedhësit? Çfarë duhet të bëjmë ne? Ne duhet t’i ftojmë të gjithë të vijnë në votime, ne do t’i regjistrojmë të gjithë qytetarët. Ne duhet të përpiqemi të kemi listat më korrekte të regjistrimit”.
Kryetari i Partisë Demokratike Berisha iu ka deklaruar të zgjedhurve të tij, se kanë të bëjnë me një betejë politike për të hequr qafe një qeveri e për të ndërruar një sistem, në të cilin Shqipëria është eksperimenti më tragjik i korrupsionit.
Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Ne do të përgjysmojmë taksat në Shqipëri, në qoftë se këta tallen me rrogat dhe pensionet e njerëzve, të cilët s’mbyllin dot një javë me të ardhurat e tyre. Nga një anë shtojnë pensionet, nga ana tjetër heqin kompensimet. Këta janë shumë të pa ndjeshëm, morali i kusarit është morali i të pa ndjeshmit ndaj çdo lloj fenomeni”.
Votën e shqiptarëve, ka përfunduar Berisha, do ta meritojmë kur t’i japim zgjidhjen e të gjitha problemeve. Kështu për herë të parë Berisha ka pranuar se për të ardhur në pushtet përveç thirrjeve dhe mitingjeve, duhet të plotësosh edhe detyrimet ndaj zgjedhësve. Megjithatë ai u shpreh mjaft i bindur në fitoren e PD në zgjedhjet lokale./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego