Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha do të paraqitet nesër në orën 09:30 në SPAK.

Në një mesazh dërguar strukturave të kësaj partie thuhet:

Të dashur miq. Nesër ditën e hënë në ora 09:30 sërish Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha do jetë në dyert e SKAP-it! Ju lutem të mobilizojmë strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty. Në ora 9:30 përpara selisë SKAP-it. Faleminderit!”

Edhe të Premten (14 Shkurt 2025), Berisha theksoi se “do shkojë në Prokurorinë e Posaçme dhe do të bëjë konferencën më të shkëlqyer të shtypit, pasi aty është një sfond i mrekullueshëm për të komunikuar me publikun.”

“Edhe po e bënë çdo javë, çdo javë do të shkoj. Gjithë kohën konferencë për shtyp do bëj”, deklaroi Berisha.

Në Janar të këtij viti, Berisha u paraqit në SPAK në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” pasi akuzohet për korrupsion pasiv, lidhur me dosjen “Partizani”. Megjithatë, sa herë ka ngjitur shkallët e kësaj strukture, një sërë qytetarësh e deputetësh kanë qenë të pranishëm për ta mbështetur. Masën ndaj tij, ai e konsideron një akt të turpshëm politik në të cilin ai thotë se “prokuroria në kundërshtim me Kushtetutën kërkon t’i ndalojë fjalën e lirë”, ndërsa gjykatësin e krahason me një kukull të partisë që vendos sipas kërkesave të tyre.

Kujtojmë se kjo masë sigurie u vendos nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 3 Janar 2025. Në bazë të vendimit të dhënë nga gjyqtari Engert Pllumbi, Berisha duhet të paraqitet 2 herë në muaj para policisë gjyqësore. Kreu i demokratëve qëndroi i izoluar në banesën e tij për 11 muaj, ndërsa e fitoi lirinë më 27 Nëntor 2024.

Pritet të shohim se çfarë do të ndodhë të Hënën, duke qenë se Berisha ka bërë thirrje për mobilizim.

/tvklan.al