Presidenti amerikan George Bush i kërkon Senatit Amerikan të ratifikojë sa më shpejt protokollet për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Shqipëria dhe Kroacia shërbejnë si dy shembuj të tjerë vendesh të motivuar nga pranimi në NATO, për të çuar përpara reformat e vështira politike, ekonomike dhe ushtarake, thuhet në deklaratën e presidentit amerikan të publikuar në websiten e Shtëpisë së Bardhë.
Përpjekjet dhe suksesi i tyre shton presidenti Bush, u tregojnë vendeve të tjera të Ballkanit edhe më gjerë se dera e NATO-s është e hapur për vendet që janë të gatshme të marrin mbi vete përgjegjësitë e anëtarësimit.
Juel Meçani: “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha përshëndet letrën që presidenti i SHBA George W. Bush i ka dërguar senatit amerikan. Më këtë rast kryeministri i republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha i shpreh mirënjohjen më të thellë presidentit të SHBA George W. Bush qeverisë së tij dhe mbarë kombit amerikan, për këtë mbështetje të rëndësishme në realizimin e njërit prej projekteve më madhore në historinë e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.”/tvklan.al