Kryeministri Sali Berisha, deklaroi të hënën në mbrëmje se qëndrimet politike të kryetarit të PS Edi Rama mbi zgjedhjet, kanë si qëllim të vetëm dështimin e procesit të liberalizimit të vizave.

Sali Berisha: “Edi Rama ka vetëm një qëllim të vetëm, të pengoj me sa të mundet lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptar. Ai e din që muajt e afërm që vijnë, janë muajt e këtij vendimi. Nuk ka problem tek zgjedhjet, ai po përdor këtë për një interes tmerrësisht të ngushtë personal”.

Duke nënvizuar jo për herë të parë se 28 qershori bëri histori për nga standardet që shoqëruan zgjedhjet, kryeministri shtroi dhe argumentet që prodhuan sipas tij një gjë të tillë.

Këtu kryetari i qeverisë ju referua sistemin zgjedhor, për herë të parë në historinë vendit opozita përcaktoi llojin sistemit që u zbatua.

KQZ u zgjodh me konsensus politik, për zgjedhjet u ofrua infrastruktura më moderne përfshirë sistemin e kamerave në çdo vendnumërim, edhe këto kryeministri i paraqiti si zhvillime që ndodhën për herë të parë në vend e që u shoqëruan me konsensusin e partisë më të madhe opozitare, PS.

Berisha bëri dhe një krahasim me zgjedhjet e vitit 2005, duke theksuar se në ndryshim, në 2009, procesverbalet u firmosen nga të 7 komisionarët gjë që duket ka ndikuar dhe në numrin e ulët të ankimimeve, nga mbi 400 në 2005 në vetëm 18 në 2009.

Sali Berisha: “Këtij zotërie i duhet për të bind mbështetësit e tij se zgjedhjet i humbi për shkak timin. Absolutisht po. Unë fitova zgjedhjet me rregullat më të ndershme që kam ndjekur, dhe të dalë të thotë një qytetar shqiptar ndryshe duke respektuar çdo lloj vendimi që zoti Edi Rama do të marrë. E garantoj se qeveria do të mbetet plotësisht e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën. Si kundër i sugjeroj të nxjerrë mësime me bori dhe bilbila u bë gazi i Evropës, marrëveshja u nënshkrua. Dua t’i japë një sugjerim zotit Rama, hiq dorë nga idetë se ti mund të dëmtosh për qëllime personale procesin e integrimit evropian. E ke provuar sapo partnerët tanë evropian do të kuptojnë se ti e bën për qëllime personale këtë, ata do marrin ato vendime që morën në 2006 me gjithë bilbilat dhe boritë e tij”.

Pavarësisht tezës së hedhur nga PS për bojkot të kuvendit për të mbërritur tek zgjedhjet e parakohshme, apo marrëdhënieve problematike të LSI me disa eksponentë Brenda saj, Berisha u shfaq i qetë për qëndrueshmërinë e qeverisjes, një bashkëpunim që duket e kalon dhe opsionin 8-vjeçar.

Sali Berisha: “Zoti Meta sot bëri fjalë për 2013. Unë mund t’u garantoj ju edhe për 2021-shin. Ky është një koalicion i cili ka të gjithë prellogativat, maturinë, ekspertizën, vullnetin e hekurt për t’i dhënë vendit qeverisjen më të mirë, më eficente, për të shtyrë përpara projektin e madh, ëndrrën e integrimit evropian të Shqiptarëve”.

Gjatë konferencës për shtyp kryeministri tha për gazetarët se përbërja e kabinetit të ri do të bëhet e ditur përpara datës 7 shtator, ditë kur fillon punimet kuvendi i ri. Por si arsye të parë të daljes publike, kryeministri paraqiti kongresin e jashtëzakonshëm të socialisteve, Berisha tha se Rama riktheu këtë forcë politike në frymën e vjetër të censurës, diktuar nga origjina e saj…./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi